Haaland: Pep, më i miri që ka ekzistuar, gjen gjithmonë zgjidhje
Erling Haaland mezi pret të rikthehet në fushë për të ndihmuar Manchester City-n të ndërpresë serinë e pazakontë prej katër humbjesh radhazi që ndodhën para pushimit.
Norvegjezi foli për Sky Sports UK në prag të ndeshjes kundër Tottenhamit që zhvillohet nesër, duke theksuar rëndësinë e Pep Guardiolës dhe aftësitë e tij për të gjetur zgjidhje edhe në momentet më të vështira:
"Ai është i qetë. Ne duhet të japim më të mirën tonë, sepse ai pret shumë nga ne.
Na kërkon të jemi maksimalisht të përqendruar në çdo stërvitje, në çdo ndeshje, dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë.
Duhet të fitojmë ndeshjen e radhës. Pep ka besimin tim të plotë.
Nëse më thotë diçka, më mirë ta bëj sepse ai e di më mirë se kushdo tjetër. Jam i sigurt që edhe tani do të gjejë zgjidhje."
Vlerësimi për trajnerin: "Është pikërisht ashtu siç e prisja.
Ai është menaxheri më i mirë në botë dhe besoj se të gjithë e dimë këtë. Ndoshta është më i miri që ka ekzistuar ndonjëherë.
Prisja shumë prej tij dhe ai më ka dhënë maksimumin në çdo moment. Jam shumë i lumtur dhe kjo duket edhe kur luaj.
Ai kërkon gjithmonë perfeksionin, por perfeksioni nuk ekziston.
Ajo që ka rëndësi është të fitosh trofe."
