"Kemi shkuar nga një ekstrem në një tjetër"/ Mile:Tashmë nxënësi është ai që bën zap mësuesin..
Pedagogu, Klementin Mile, i ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora News", bëri një krahasim të shkurtër mes shkollave të mëparshme dhe ato të tanishme. Theksoi se më parë ishte mësuesi ai që bënte zap studentët, ndërkohë që sot është një ekstrem tjetër ku nxënësi është ai që bën zap mësuesin.
"Shkolla nuk është faktori i vetëm që ka kontribuar për të prodhuar një ngjarje të tillë, por është një nga faktorët më të rëndësishëm padiskutim. Ka një ide të përgjithshme sikur shkolla nuk ka ndryshuar, pra sikur është e njëjta shkollë që prodhon të njëjtat fenomene negative që na godasin herë pas here. Në fakt unë mendoj se shkolla ka ndryshuar shumë. Unë kam pasur rastin që të jem student në një kohë kur mësuesi ishte autoritar, kishte pushtet më shumë sesa autoritet. Autoriteti është një cilësi morale, ka të bëjë me atë që ja njeh si të drejtë që ta ushtrojë atë rol që ka. Përdorte mjete që nuk i përdorin më, ndonjë vizore në duar, kur nuk bëje diçka që nuk të kërkohej. Dhe prindërit ishin aleatë me këtë gjë. Ne kemi lënë pas këtë model shkolle. Ishte një ekstrem, por kemi shkuar në një ekstrem tjetër. Nxënësi tani bën zap mësuesin", u shpreh Mile.
