Moti i keq, rifillon veprimtaria portuale në portin e Durrësit
Në portin e Durrësit mëngjesin e sotëm ka rifilluar gradualisht veprimtaria portuale, pas pezullimit të punës në Terminalin e Konteinerëve për shkak të motit të paqëndrueshëm gjatë 24 orëve të fundit.
Autoriteti Portual Durrës njoftoi sot se “aktualisht, veprimtaria përpunuese vijon normalisht në të katër terminalet, ndërkohë që të gjitha akset në hapësirat e Portit janë të aksesueshme pa pengesa në qarkullim”.
Sipas APD-së, në Terminalin e Pasagjerëve janë bregëzuar pa probleme në oraret e parashikuara tragetet “Rigel III” dhe “AF Marina” mëngjesin e sotëm.
Autoriteti Portual Durrës, bashkë me Autoritetet Detare kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e gjitha mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë në portin e Durrësit.
Ekipet operacionale dhe të Emergjencave Civile të portit të Durrësit janë gatishmëri të plotë për t’i ardhur në ndihmë përdoruesve të portit si dhe në mbështetje të strukturave të bashkisë Durrës.