Kapshticë/ Procedohet 50-vjeçari turk, nuk deklaroi mijëra euro dhe dollarë
Nga OraNews Përditësimi i fundit 21 Nëntor 2024, 10:18
Një 50-vjeçar turk është proceduar penalisht, pasi në Pikën Kufitare të Kapshticës, në dalje, nuk deklaroi mijëra euro dhe dollarë.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë, në kamionin që drejtohej nga 50-vjeçari, u gjet e fshehur në kabinën e kamionit, një çantë krahu me 27 915 euro dhe 2935 dollarë.
Dyshohet se paratë, ky shtetas po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar në pikën e kalimit kufitar. Shuma e eurove dhe dollarëve u sekuestrua nga Policia, në cilësinë e provës materiale.
Ai akuzohet për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.