“Mjaft më me modele “Kim Kardashian””/ Pse po vr*ten adoleshentët? Xhelili: Sa roje kishte te dera e shkollës, sa çanta u kontrolluan? Kemi humbur njerëzoren

Në studion e lajmeve mëngjesi i kësaj të enjteje nisi sërish me diskutimet mbi dhunën e adoleshentëve shqiptarë, dhunë e cila ka degraduar deri në vrasje të kobshme siç ishte ajo e 14-vjeçarit Martin Cani pak metra larg shkollës “Fan Noli”, ku ai dhe vrasësi i tij i të njëjtës moshë ishin nxënës.

Lidhur me këtë si formë reagimi, kryeministri Edi Rama njoftoi se po shqyrtohet mundësia e mbylljes së disa rrjeteve sociale që përdoren kryesisht nga adoleshentët dhe të rinjtë siç janë “TikTok” dhe “Snapchat”.

Por a është kjo zgjidhja, apo problemi është më i thellë se kufizimi tek rrjetet sociale?

Për të kuptuar më shumë mbi shkaqet dhe pasojat se pse shoqëria shqiptare po prodhon vrasës që në moshën e adoleshencës e ftuar ishte moderatorja Eneida Xhelili, e cila e shikon ngjarjen e rëndë edhe në rolin e prindit.

Xhelili theksoi se vrasja e 14-vjeçarit nuk duhet lënë në harresë.

“Është një ngjarje shumë e rëndë, një ngjarje që të lë pa fjalë, dhe në fakt nuk duhet ndenjur pa fjalë, pa folur dhe pa vepruar për këtë fenomen.

Jemi dëshmitarë që për vite me radhë flasim, por kur vijmë tek rasti konkret pastaj kuptojmë.

Dhe ajo që duam të dimë ne si prindër është sa roje ishin te dera e shkollës, sa çanta u kontrolluan nga shkolla. Sepse ne kur ua dorëzojmë fëmijët institucionit arsimor i kemi dhënë besimin dhe i kemi dhënë jetën tonë, që janë fëmijët tanë.

Dhe nuk edi se si ndihen sot prindërit e Martinit, por apeli që kam për ta është ju lutem veproni dhe mos rrini të heshtur. Dhe kjo është tema e tubimit të sotëm të gjerë, ku nuk e di se kush është nismëtari dhe uroj që asnjë fytyrë politikani të jetë aty dhe të marrë bonuset politike për përfitime elektorale.

Kur them të gjithë kemi faj për këtë, pasi kemi të bëjmë me këputje të zinxhirit të komunikimit. Duhet bashkëveprim. Ne prindërit, mësuesit, drejtuesit e institucioneve nuk duhet të ecim sipas emocioneve të fëmijëve.

E falënderoj kryeministrin për propozimin e tij për rrjetet sociale, jemi shumë vonë, por më mirë vonë se kurrë. Ato po na e marrin jetën dhe kur nuk i kontrollojmë ne të rriturit si mund t’i kontrollojnë fëmijët.

Sepse ja çfarë po na ndodh. Problem tjetër është se shoqëria jonë i ka humbur modelet, dhe po na imponohen mënyra se si bëhen lekë shpejt, apo duke terguar trupin. Mjaft më me modele “Kim Kardashian”, që kanë shfaqur revolta edhe tek mjediset ku ato jetojnë”, u shpreh Eneida Xhelili.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ENEIDA XHELILIN