"Theksin do e vija tek shkaqet"/ Budina: Fëmija kur del jashtë 70% nuk është më i yti, bashkëvepron me të tjerët...

Regjisori Robert Budina ishte i ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ku u shpreh se ideja e filmit të tij "Pikë uji" ka ardhur në momentet kur të dy fëmijët e tij ishin adoleshentë. Ai gjithashtu shprehu se çdokush në një moment krize mund të bëhet viktimë e një veprimi me pasoja të parikuperueshme.

"Në kohën kur realizuam filmin, ideja ishte kjo sepse kemi pasur në atë kohë dy fëmijë adoleshentë të cilët pavarësisht se çfarë edukate mund të merrnin në shtëpi, kur dilnin në shoqëri, në shkollë, në rrugë, retorika e gjuhës së dhunës që kishin, që ndihet tek ne kudo, jo vetëm nëpër institucione por edhe nga politika, transmetohet dhe nuk ke mundësinë që të kesh kontrollin e plotë mbi fëmijën tënd sepse ai mund të jetë i joti brenda mureve të shtëpisë, por kur del 70% nuk është më i yti, bashkëvepron dhe me të tjerët. Në një moment krize, në një moment të pasigurtë, çdokush mund të bëhet viktimë e një veprimi që mund të sjell pasoja dhe është i parikuperueshëm. Pra, më shumë sesa do e vija theksin tek ngjarja, ne duhet të shkojmë tek shkaqet", u shpreh Budina.