Koçiu: Spitali Memorial i Fierit, procedurë e avancuar e diagnostikimit të patologjive të arterieve
Në Spitalin Memorial të Fierit janë realizuar me sukses procedurat e diagnostikimit të patologjive të arterieve karotide dhe cerebrale nëpërmjet angiografisë cerebrale.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se këto procedura u realizuan falë bashkëpunimit të ekipit multidisiplinar përfshirë dr. Mesut Karatas, dr. Klaudio Disha, dr. Kjanda Elpenoria dhe dr. Renard Plaku.
“Rreth 80 qytetarë kanë përfituar nga kjo procedurë e avancuar. Implementimi i autonomisë menaxheriale ka zgjeruar gamën e shërbimeve dhe po garanton ofrimin e një shërbimi cilësor, nga kapacitetet më të mira profesionale dhe teknologjia e avancuar mjekësore”, tha Koçiu.
Angiografia Cerebrale eliminon nevojën për ndërhyrje kirurgjikale tek pacienti.
Kjo metodë pranohet si standardi i artë në diagnostikimin e sëmundjes së arterieve cerebrale.
Nëpërmjet angiografisë bëhet vlerësimi nëse lezionet e vazave që furnizojnë trurin kanë indikacion për trajtim kirurgjikal/ endovaskular apo konservativ.
