Përfundon samiti i G8, liderët qëndrime të ndryshme për Sirinë

Udhëheqësit e vendeve më të fuqishme në Botë në samitin e G8 ranë dakord t'i jepet fund shpërblimeve me para për terroristët që marrin peng njerëz, por nuk arritën dot një konsensus lidhur me mënyrën e trajtimit të konflitit në Siri.Gjithashtu drejtuesit e G8-ës ranë dakord të luftojnë evazionin fiskal, për t'u siguruar që kompanitë shumëkombëshe të mos fshehin dot fitimet e tyre nëpër banka në vende të tjera.Në ditën e fundit të samitit në Irlandën e Veriut, liderët e vendeve më të fuqishme të botës dolën me një deklaratë të përbashkët për krizën siriane, por ata nuk arritën dot një gjuhë të përbashkët lidhur me trajtimin e konfliktit vdekjeprurës në Siri. Për këtë çështje udhëheqësit patën qëndrime të ndryshme me atë të presidentit rus Putin.Kryeministri britanik David Cameron arriti të sigurojë një marrëveshje që t'i jepet fund pagesave për lirimin e pengjeve.Deklarata e përbashkët mbështet zhvillimin e një tryeze bisedimesh për paqe me përfshirjen e të gjitha palëve në Gjenevë, por nuk përcakton një datë fikse për këto bisedime duke shtuar vetëm "sa më shpejt që të jetë e mundur". Ndërsa ende nuk dihet cili do të jetë roli i presidentit Bashar al Assad në bisedimet e Gjenevës.Luftimet në Siri nisën në mars 2011 dhe që prej atëherë, në konfliktin më të përgjakshëm të Pranverës Arabe, mbi 93 mijë persona kanë humbur jetën sipas të dhënave zyrtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.