ITALIA ZBRET SHQIPET NË TOKË/ Kuqezinjtë nuk ia dalin edhe pse shënuan më shpejt se askush tjetër (VIDEO)
Ishte padyshim një ndeshje magjike ajo që sapo u mbyll në Dortmund mes Shqipërisë dhe Italisë, që ishte dhe ndeshja e parë në “EURO 2024”.
Nedim Bajrami ka shënuar që në minutën e parë të lojës, duke çuar shifrat në 0-1 ndaj Italisë.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare hyri kështu në librat e historisë të Kampionateve Europiane, duke shënuar golin më të shpejtë në këtë kompeticion.
Mesfushorit 25-vjeçar iu deshën vetëm 22 sekonda për të ndëshkuar “Azzurrit”, duke vendosur kështu një rekord që do të mbahet mend gjatë.
View this post on Instagram
Por festa e kuqezinjve zgjati pak. Me një kundërsulm Bastoni do të vendoste barazpeshën pas 10 minutash.
Dhe 6 minuta më vonë Italia do të shënonte edhe golin e avantazhit me Barrelën, duke mbetur i pandryshuar deri në përfundim të ndeshjes.
Formacionet
Trajneri i Kombëtares, Silvinjo i besoi Strakoshës dhe Ajetit, të cilët fituan balotazhet me Berishën dhe Ismajlin, teksa sulmin ia besoi Asanit, Seferit dhe Brojës.
Tek Italia, Spalletti i ka besuar bllokut të Interit me 4 lojtarë zikaltër në formacion, teksa edhe Barella, që ishte në dyshim, luajtën nga minuta e parë.
Shqipëria: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Asani, Seferi, Broja
Italia: Donnarumma; Di Lorenzo, Bastoni, Calafiori, Dimarco; Jorginho, Barella; Chiesa, Frattesi, Pellegrini; Scamacca.

