Stamboll, policia ndërhyn për shpërndarjen e protestuesve
Policia turke përdori gazin lotësjellës për të larguar protestuesit nga Parku Gezi, pasi ata nuk përfillën ultimatumin për të ndalur protestat dy javëshe në këtë zonë.Parku u boshatis shumë shpejt pasi qindra policë, me automjete të blinduara u futën në zonë dhe filluan të përdorin granatat zhurmuese dhe gazin lotësjellës.Mediat theksojnë se është përdorur gaz lotësjellës edhe në një hotel me pesë yje, ku u strehuan disa nga protestuesit. Policia paralajmëroi gazetarët që po ndiqnin zhvillimet të largoheshin ose mund të arrestohen.Para masave të policisë, protestuesit kishin filluar të grumbulloheshin në park dhe në Sheshin Taksim aty pranë, në përgjigje të thirrjeve përmes medias sociale për një protestë masive. Organizimi i djeshëm u ndërmor në përgjigje të kritikave të kryeministrit Reçep Taip Erdogan ndaj demonstruesve.Vetëm disa orë më parë në një tubim në Ankara, kryeministri tha para dhjetëra mijëra përkrahësve se demonstruesit në Stamboll ishin njerëz të shtresave të izoluara dhe nxori paralajmërim kundër tyre.Kryeministri Erdogan tha se parku nuk u përket organizatave të paligjshme dhe Parku Gezi e Sheshi Taksim duhet të lirohen, përndryshe situatën do ta marrin në dorë forcat e sigurisë.Erdogan paralajmëroi më pas se do të ndërmerrej një operacion i ligjshëm, duke thënë se protestuesit do të nxirreshin para drejtësisë. Ai i akuzoi protestuesit se po shfrytëzoheshin nga fuqitë e huaja që po bashkëpunonin me elementë brenda në Turqi.Protesta fillestare në Parkun Gezi u organizua për të ndalur planet qeveritare për një projekt komercial në këtë park. Por një përgjigje e egër nga policia dy javë më parë solli acarimin e protestave dhe shndërrimin e tyre në demonstrata mbarë-kombëtare me thirrjet kundër qeverisë. Kritikët e kryeministrit Erdogan thonë se ai po përpiqet t’u imponojë turqve laikë pikëpamjet e tij konservatore islamiste.Erdogan ende gëzon mbështetje të konsiderueshme në Turqi, pasi siguroi 50 për qind të votave në zgjedhjet e fundit. Por vëzhguesit thonë se trazirat e fundit civile tregojnë se Turqia mbetet një vend i polarizuar.