50 euro për të blerë bekimin e Zotit
Gjithnjë e më shumë njerëz po e braktisin kishën, por janë të shumtë ata që megjithatë dëshirojnë një prift në dasmën e tyre. Iniciativa "Pastor me qera" shpreson ta plotësojë këtë mungesë në treg.Andrea donte që dasma e saj të ishte jo vetëm një ditë e madhe, por edhe një ditë speciale dhe e personalizuar. "Edhe pse nuk shkojmë në kishë rregullisht ne nuk donim që dasma jonë të ishte thjesht një ceremoni standarde", thotë ajo. Ajo foli me Mickey Wiese, një teolog i çertifikuar që e quan veten "prift eventesh". Wiese u ofron dasma të krishtera çifteve të cilat nuk janë në komunitetin e kishës.
Wiese, në fillim të të pesëdhjetave, me flokë të gjatë gri, të mbledhur bisht, punon si docent i lirë. Avantazhi i tij është se pranon me kënaqësi të celebrojë martesa në vende të pazakonshme. P.sh. i ka rënë rasti të flasë në dasma në vreshtë apo në një treg. Këtë vjeshtë ai do të veshë kutën e murgut për një ceremoni në një kështjellë mesjetare. Çiftet që duan ta kontaktojnë Wiese-n, mund ta gjejnë në një faqe interneti të ngritur enkas për këtë qëllim.
Nga jokonvencionale në multikulturoreNë faqen "rent-a-pastor" (merr një prift me qera), njerëzit mund të kërkojnë teologë kudo në Gjermani. Ka një larmi ofertash: krahas Wiese-s, mund të merret me qera një "folës jokonvencional", i njohur nga "shfaqje të shumta në televizion", apo një prift brazilian i specializuar në martesa multikulturore. Ka rreth 20 folës të regjistruar në faqen e internetit dhe çmimi normal është rreth 50 euro për orë. Priftërinjtë mund të merren me qera edhe për funerale.
Faqja "rent-a-pastor", është ngritur nga Samuel Diekmann, një prift i çertifikuar me Kishën e Lirë Protestante në Hesen. Atij i lindi ideja rreth katër vjet më parë dhe fillimisht i ofronte shërbimet e tij vetëm në faqen private të internetit, për të fituar ca para shtesë. Në fund të vitit, disa kolegë iu drejtuan për t'u bashkuar në biznesin e tij. Pikërisht atëherë lindi faqja e internetit "rent-a-pastor".Me modelin HollivuditGrupi i synuar nga "rent-a-pastor" janë njerëzit që nuk kanë të bëjnë shumë me kishën, por që ende besojnë tek Zoti apo që duan një folës profesionist në dasmën e tyre. "Folësit e lirë janë si rëra në shkretëtirë", thotë Diekmann. "Por për çiftet është e vështirë të kuptojnë se çfarë fshihet pas fasadës së ndritshme. Për këtë arsye ne përdorim etikën tonë profesionale si reklamë." Diekmann ka drejtuar tashmë edhe dasma tematike: p.sh. ka mbajtur në qafë një gjerdan lulesh për dasmën hipi të një çifti të moshuar. "Ajo që ka rëndësi është lumturia e çiftit", thotë Diekmann.Por Volker Lehnert, anëtar i Këshillit të Kishës, e sheh këtë treg të ri me dyshim. Sipas teologu pranë Kishës Protestante në Rheinland, për këtë gjithë fajin e ka Hollivudi. "Pozitive është se besimi te Zoti ende përmendet në këto ceremoni", thotë Lehnert. "Kjo është pa dyshim në interes të kishës. Por ana e keqe është që prej tyre buron një mesazh negativ: mund të kesh atë çka ofron kisha, pa qenë anëtar i saj. Nëse këtë do ta bënin të gjithë, ky do të ishte fundi i kishës."Kisha po tkurretGjithnjë e më shumë njerëz sot po braktisin Kishën Katolike dhe atë Protestante. Zbulimet e shumë skandaleve të abuzimit në shkollat e krishtera kanë pasur si pasojë një rënie veçanërisht të fortë të numrit të anëtarëve: rreth 180.000 katolikë dhe 145.000 protestantë u larguan nga kisha në 2010. Tani më pak se 60 për qind e popullsisë gjermane bëjnë pjesë në këto dy kisha.
Shifrat madje pritet të bëhen më kritike. Një milion të krishterë në Gjermani planifikojnë të dalin nga kisha. Sipas revistës gjermane "Christ and World", së bashku me ata që e marrin në konsideratë këtë mundësi, kishat po përballen "me një humbje potenciale të më shumë se pesë milionë e gjysmë anëtarësh". Revista i referohet të dhënave të drejtorit të institutit kërkimor Sinus.Reklamë për besiminMegjithatë, ideatori i "rent-a-pastor", Samuel Diekmann, nuk e sheh shërbimin që ofron si një biznes kundër kishës. Përkundrazi: ai beson se oferta e tij mund të kthejë disa dele të humbura në shtëpinë e Zotit. "Nëse pëson një aksident automobilistik dhe nuk je anëtar i shoqatës së automobilëve, mund t'i thërrasësh megjithatë dhe ata të vijnë në ndihmë", shpjegon Diekman. "Por kur njerëzit përjetojnë një ngjarje të tillë, shumë mendojnë të anëtarësohen në shoqatë." Teologu shpreson që shërbimi i tij fetar të ketë efekt të ngjashëm: "Me anë të punës së mirë, mirësjelljes dhe humorit mund të shënosh vërtet pikë tek disa njerëz."