Miratohet amnistia, avokati Hoxha: E vonuar, por duhej të ishte më gjithëpërfshirëse sa i përket përfituesve
Pas miratimit të amnistisë penale mbrëmjen e së enjtes nga Kuvendi i Shqipërisë, avokati Arbër Hoxha, në një intervistë për “Ora News” tha se kjo është amnisti e vonuar, por vjen sepse janë mbushur burgjet.
Sipas tij, duhet të kishin përfituar të gjithë, edhe ato që janë dënuar nga GJKKO.
“Patjetër që amnistia e këtij viti ka qenë mëse e nevojshme pasi amnistia e fundit e të burgosurve ka qenë ajo në vitin 2019 dhe kjo duhet të jenë me karakter periodik.
Amnistia e djeshme duhej të ishte edhe më e përgjithshme, po ashtu edhe masa e uljes duhej të ishte edhe më e madhe, pasi ajo e djeshmja është mëse e pamjaftueshme. Megjithatë mirë që kaloi dhe kjo amnisti.
Duhet të kishin përfituar të gjithë, edhe ato që janë dënuar nga GJKKO. Përjashtimi nga amnistia bëhet referuar dënimit e veprës penale dhe jo asaj çfarë përfaqësojnë.
Pra kur përfiton dikush që ka vrarë me sëpatë, pse të amnistohen dhe disa kategori të këtyre të dënimeve. Pra duhej të kishte dhe kategori të tjera të përfituesve”, theksoi ndër të tjera avokati Arbër Hoxha.



