Dosja “Gërdeci”, mbahet në GJKKO seanca e radhës për ish-ministrin Mediu

Në Gjykatën e Posaçme u mbajt këtë të mërkurë seanca e radhës për ish-ministrin Fatmir Mediu, i cili është nën hetim për çështjen e Gërdecit. Seanca nisi në orën 9:00 dhe ka zgjatur rreth 40 minuta.

Në seancën e sotme ish-administratori i kompanisë “Alba Demil”, Mihal Delijorgji u paraqit por nuk pranoi të fliste, ndërsa kërkoi që të lexoheshin deklarimet e mëparshme!

Nga ana e tyre, si Prokuroria ashtu edhe avokatët kërkuan të administrohen në dosje dëshmitë që Delijorgji ka dhënë si i pandehur dhe si person në hetim.

Gazetari Edison Vatnikaj, bën me dije se edhe në këtë seancë nuk u paraqit Anjola Agolli, ish-Sekretarja e MInistrisë që drejtohej nga Aldo Bumçi.

Po ashtu, Denis Hajdari, ish-funksionar nuk u paraqit në sallën e gjyqit, dhe për këtë arsye prokurori i çështjes kërkoi të bëhet shoqërimi i detyruar i tij.

Gjithashtu, as ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha nuk erdhi në seancën e sotme dhe nga ana e saj Prokuroria thotë se vijon kërkimi për të.

Në seancën e sotme ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i kërkoi gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë në lidhje me mënyrën e marrjës së dëshmisë së shtetasve amerikanë, duke theksuar edhe njëherë se duhet të bëhet përmes video-konferencave.

Gjykata tha se deri tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet  me letër-porosi.

Në përfundim u vendos që seanca e radhës të mbahet më datë 9 prill, në orën 09:00.

Kujtojmë se Mediu po hetohet për shpërdorim detyre në lidhje me vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve pas shpërthimit që ndodhi në Gërdec më 15 mars të vitit 2008.