Ngacmimet sek*uale në punë, Xheka: 1 në 3 persona e kanë përjetuar. Shqipëria sa dyfishi i botës

Rastet e ngacmimeve seksuale në vendet e punës janë rritur dyfish më shumë në vendin tonë krahasim me vendet e Bashkimit Europian.

Pikërisht ky fenomen ishte objekt i studimit të kryer nga “Together for Life”, detajet e të cilit u bënë me dije në studion e lajmeve në “Ora News” nga vetë studiuesja Silvana Xheka

Ajo tha se synimi i këtij studimi ishte edhe të kuptohej se çfarë konsiderohet një ngacmim seksual.

“Të anketuarit në këtë studim tregojnë se ky është një fenomen serioz, dhe shifra 11 për qind është shumë e lartë, apo disa herë më e lartë se shifrat ndërkombëtare që është 6.3% në nivel global, dhe 4.5 në vitet e fundit, dhe në Shqipëri është gati dyfishi.

15 % e femrave janë ngacmuar në vendin e punës, dhe 7 % e burrave janë ngacmuar, jo vetëm nga gratë.

Në institucione publike dhe private. I forcave të punës në nivel gjinor. 55% burra dhe 45% gra”, tha Xheka.

Xheka shtoi se ngacmime të tilla gjatë studimit u gjetën më të pranueshme për burrat se sa për gratë.

“Ka një dallim mes perceptimit të burrave dhe të grave të sjelljeve të tilla. Burrat e konsideronin si diçka më të pranueshme, ndërsa gratë jo”, shtoi Xheka.

Sakaq, Xheka dha disa aspekte të tjera nga studimi mbi ngacmimet seksuale në punë, ku ky fenomen në vendin tonë është më i përhapur në kryeqytet, ndërsa 1 në 3 persona nga grup-mosha 16 deri në 25 vjeç kishte përjetuar diçka të tillë.

“Studimi nxori rezultatin që kompanitë ku ekziston një rregullore për sjelljet seksuale kanë një rezultat më të ulët sesa kompanitë që nuk kanë një rregullore të tillë.

Përveç edukimit personal ka të bëjë edhe rregulloret e kompanisë. Grup-mosha 16-25 vjeç e ka gati 1 në 3 punonjës ka përjetuar një formë të ngacmimit seksual.

Është më e lartë në kryeqytet dhe është më i lartë në kompanitë e mëdha me 200 e më shumë punonjës e vjen duke rënë”, theksoi Xheka.