Problematikat e rrjeteve sociale, Mustafaraj: Janë mëse të kontrollueshme, mjafton të denoncohen në kohë
Rrjetet sociale vijojnë të krijojnë probleme jo vetëm tek të rinjtë, ndaj të cilëve janë kthyer dhe në platforma varësie, por edhe tek vetë të rriturit.
Për të kuptuar më shumë mbi problematikat që lindin si pasojë e përdorimit të këtyre rrjeteve sociale, në studion e lajmeve në “Ora News”, psikologia Elona Mustafaraj theksoi se rrjetet sociale tashmë janë një trend jo vetëm për shtrirjen që kanë marrë, por edhe për përdorimin e tyre.
“Në fakt ato shërbejnë jo vetëm për informacione, por tashmë përdoren për shpërndarjen e informacioneve, por edhe të videove apo fotove për të fyer, sidomos mes të rinjve.
Këto rrjete patjetër që mund të kontrollohen, por konfliktet dhe agresionet në grup nuk janë denoncuar në kohë çka ka shkaktuar më pas dhe pasoja fizike apo dhe vrasje.
Këto konflikte nuk tregohen dhe përpiqen t’i zgjidhin me vetëgjyqësi dhe me forma të tilla”, theksoi ndër të tjera psikologia Elona Mustafaraj.


