Mediat britanike: Historike, nis rishikimi gjyqësor i shpalljes "non-grata" të ish-kryeministrit Sali Berisha

Në Britaninë e Madhe ka nisur rishikimi gjyqësor i shpalljes non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, në atë që mediat vendase e quajnë rishikim historik të vendimit të sekretarit të Brendshëm, atëherë Priti Patel, e cila i ndaloj Berishës hyrjen në Britaninë e Madhe në vitin 2022, me pretendimin e përfshirjes në korrupsion dhe kriminalitet.

Mbretëria e Bashkuar ndoqi të njëjtat hapa si SHBA pasi e ndaluan hyrjen në vend në vitin 2021.

Sali Berisha është lideri aktual i opozitës shqiptare i Partisë Demokratike, por shërbeu si kryeministër i vendit nga viti 2005 deri në vitin 2013 dhe më parë ishte president nga 1992 deri në 1997.

Ai u caktua në arrest shtëpiak në dhjetor, ndërkohë që ka një hetim në vazhdim për të për korrupsion të mundshëm. Në të njëjtën javë, Kuvendi i Shqipërisë votoi për heqjen e imunitetit ligjor Berishës.

Duke filluar nga kjo javë është sfida e parë ligjore e njohur ndaj një vendimi të Sekretarit të Brendshëm për përjashtimin e një lideri të opozitës të ‘një shteti të huaj mik’ nga MB, shkruajnë mediat britanike.

Mediat britanike: Historike, nis rishikimi gjyqësor i shpalljes

Berisha pohon se akuzat për kriminalitet dhe korrupsion të ngritura ndaj tij janë të pavërteta.

Duke filluar nga sot, në Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Mbretërinë e Bashkuar, do të nisë shqyrtimi i kërkesës së ish-kryeministrit.

Berisha pretendon se kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, kishte njohuri paraprake për urdhrin e përjashtimit, të cilin e kishte shpallur në Kuvendin e Shqipërisë, edhe para se ai vetë të ishte njoftuar për vendimin e Sekretarit të Brendshëm.

Mbrojtja ligjore do ta përdorë këtë për të ngritur pyetje në lidhje me procesin e ndjekur në vendimmarrjen e ndalimit të tij nga MB.

Ekipi ligjor i Berishës përbëhet nga Fergus Randolph KC, i cili u udhëzua nga Kartik Mittal, partner në firmën ligjore me bazë në Londër Zaiëalla and Co.

Seanca pritet të zgjasë katër ditë, deri të premten e kësaj jave. Duke komentuar rastin, avokati i tij, Mittal, tha:

“Ky është një rast i jashtëzakonshëm ku një lider opozitar i një vendi tjetër evropian i është nënshtruar një urdhri përjashtimi në bazë të akuzave të thjeshta të nxjerra kryesisht nga burime të mediave të huaja për pavarësi të dyshimtë editoriale.

Berisha nuk ka qenë kurrë i dënuar për ndonjë vepër penale në Shqipëri dhe mohon me forcë të jetë përfshirë në aktivitete kriminale korruptive”.

Ndërsa një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha:

Mediat britanike: Historike, nis rishikimi gjyqësor i shpalljes

“Qeveria e Britanisë së Madhe ka si prioritet sigurinë e vendit tonë dhe e bën këtë edhe duke promovuar sigurinë, prosperitetin dhe shtetin ligjor në të gjithë botën.

Britania e Madhe ka qenë një partnere e Shqipërisë duke e mbështetur në llogaridhënien dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete kundra kriminalitetit dhe korrupsionit”.

“Do të ishte e papërshtatshme të komentohej më tej ndërkohë që procedurat ligjore janë në vazhdim,” shtuan ata.