''Ethet'' e vulës, Gjykata e Apelit vendos trupën gjykuese për Vulën e PD-së
Gjykata e Apelit nuk ka vonuar të shqyrtojë çështjen se kujt i përket vula në PD.
Pak orë pasi e Gjykata e Lartë zbardhi vendimin, në short u caktuan tre gjyqtaret Alma Ahmeti, e cila do të jetë relatorja dhe Iliba Bizati e Elona Toro pjesë e trupës.
Tashmë do të pritet dhe caktimi i datës kur mbështetësit e Sali Berishës të cilëve iu bashkua edhe Gazmend Bardhi do të përballen me Lulzim Bashën.
I vetmi vendim i marrë për këtë çështje është i shkallës së parë kur Agron Zhukri të drejtën ia dha Berishës, por që ka mbetur i pa zbatuar.
Grupimet brenda Partisë Demorkatike e kanë lexuar në mënyrë të ndryshme zhvillimin!
Indrit Sefa nga Partia Demokratike e Lulzim Bashës vendimin e konsideron të rëndësishëm për fraksionin që ai bën pjesë!
‘’Për ne është një vendim i cili respekton ato kërkesat që ne kemi kërkuar edhe në ankimin tonë.
Si dhe detyron Gjykatën e Apelit e cila duhet të vlerësojë në themel se a ka legjitimitet komisioni i Rithemelimit për të përfaqësuar PD-në’’, tha Sefa.
Nga ana tjetër Franc Nuri nga Rithemelimi thotë se vendimi është tërësisht në favor të tyre dhe kundër Lulzim Bashës.
‘’Analizën e Gjykatës së Lartë e shohim 100% në favor të PD të drejtuar nga Berisha.
Janë shkelje të rënda të evidentuara nga Gjykata e Lartë.
Arsyetimi i Gjykatës së Apelit nuk plotëson standartet më minimale të një vendimi gjyqësor sipas kërkesave të gjykatës Kushtetuese’’, tha Nuri.
Gjykata e Lartë argumenton se është Apeli që duhet të japë vendimin përfundimtar, duke marrë në konsiderat se cilat palë duhet të jenë pjesë si dhe vlerësimin mbi procedurat e ndjekura.
