Bashkimi i demokratëve, Kulluri: PD e ka kusht të panegociueshëm, nuk bashkëpunon me “non-gratat”

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike zyrtare, Edvin Kulluri nga studioja e lajmeve në “Otra News” deklaroi se PD e ka të panegociueshëm kushtin që nuk ka bashkëpunim me “non-grata”-t.

“E para e punës ky nuk është më një diskutim emrash, Basha apo Berisha, pasi askujt nuk i intereson më kjo. Kjo është lojë principesh dhe ajo që është principiale dhe e panegociueshme dhe që Partia Demokratike nuk e toleron është çështja e “non-gratës”.

Ne nuk mund të pranojmë jo kryetar partie por as deputet të grupit parlamentar që të jetë një “non-grata”. Këto janë dy vendimet që janë marrë qartë.

Nëse Kuvendi Kombëtar mblidhet nesër dhe thotë se ne nuk na intereson mendimi i ndërkombëtarëve, atëherë hajde ulemi prapë. Por përderisa nuk ka rënë kushti i ndarjes nuk mund të ketë kushte për bashkim.

SHBA-të kanë marrë një vendim të fortë dhe nuk nxjerrin pretekste, dhe nëse PD-ja ikën nga parimet demokratike dhe Perëndimore, le ta bëjnë, por unë besoj që nuk kemi ndërmend të ndërmarrim këtë hap në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë”, u shpreh ndër të tjera Edvin Kulluri.