A do të marrë fund Odiseja? Vula dhe logoja e PD-së, Gjykata e Apelit hedh sot shortin për trupën gjykuese
Gjykata e Apelit pritet të hedhë sot në orën 15:00 shortin për të përcaktuar trupën gjykuese të çështjes me kërkesën për regjistrimin në regjistrin e partive politike për subjektin Partia Demokratike e Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 786, datë 17.12.2023, ka vendosur: Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03/03/2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues.
Mbi bazën e vendimit të lartpërmendur, sot në datë 19.03.2024 në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, u regjistrua kërkesa e Partisë Demokratik të Shqipërisë, shorti për caktimin e gjyqtarit relator do të hidhet po sot në orën 15:00, në një proces të hapur në sallën nr. 5 të gjykimeve.
Gjykata e Apelit më herët vendosi që çështja e vulës dhe siglës së Partisë Demokratike që pretendohet nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PD, Lulzim Basha, të vendoset në shkallën e parë. Këtë vendim, e ankimoi në Gjykatën e Lartë krahu politik mbështetës i Sali Berishës.
Gjykata e Lartë vendosi rivlerësimin e vendimit të Apelit nga një trupë tjetër gjykuese. Ndërkohë, në shkallën e parë, vula dhe logoja i është besuar “Rithemelimit” të Berishës. Çështja e vendimit për vulën e Partisë Demokratike është në qendër të debatit në kampin opozitar që prej dhjetorit të vitit 2021.
