Logu: Komisionet hetimore nuk interferojnë punën e SPAK-ut, përkundrazi hetimi parlamentar e ndihmon atë
Komisionet hetimore parlamentare nuk interferojnë në punën dhe hetimet e SPAK-ut, thotë këshilltari ligjor i grupit parlamentar të PD-së, Marash Logu, në prite të ngritjes së dy komisioneve parlamentare, pas arritjes së marrëveshjes politike mes PS dhe "rithemelimit!
Në marrëveshjen politike mes PS dhe PD-së së rithemelimit parashikohet ngritja e 2 komisioneve hetimore, pavarësisht se shpesh-herë mazhoranca ka thënë se nuk mund të lejohen kur është duke hetuar prokuroria.
Për juristin dhe këshilltarin e grupit parlamentar të PD-së Marash Logu, argumenton se gjykata kushtetuese e ka ndarë qartë punën e legjislativit me drejtësinë
Marash Logu: “Së pari, komisionet hetimore parlamentare ngrihen mbi parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Ka qenë kjo arsyeja se pse që nga viti 2014 dhe në vazhdim Gjykata Kushtetuese ka marrë një sërë vendimesh, të cilat kanë sanksionuar faktin se komisionet hetimore nuk krijojnë asnjë lloj pengese me ngritjen e tyre për sa kohë ka një hetim po themi që po kryhet aktualisht nga organet e Akuzës”.
Sipas Logut, edhe vetë kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ka pohuar se hetimet parlamentare nuk pengojnë prokurorinë por përkundrazi
Marash Logu: “Qëllimet që ndjek një komision hetimor parlamentar janë të ndryshme nga ato ndjek organi i Akuzës për ndjekjen penale.
Është edhe deklarata e bërë publike për mediat nga drejtuesi i SPAK-ut, zoti Dumani, i cili thotë se komisionet hetimore parlamentare nuk krijojnë asnjë lloj pengese, nuk krijojnë asnjë lloj interference.
Të gjitha faktet, të gjitha parashtrimet që komisioni hetimor ka prodhuar komisioni hetimor janë përdorur për vendimmarrje të ndryshme që ka prodhuar qoftë SPAK-u, qoftë GJKKO në vendimet e saj lidhur me rastet e incineratorëve.
Pra në atë rast jo vetëm nuk është krijuar pengesë apo interferencë ndërmjet veprimtarisë së komisionit hetimor parlamentar dhe punës së Prokurorisë së Posaçme, por ka shërbyer si një ndihmë e çmuar për SPK-un në hetimet që ka kryer”.
Së shpejti pritet që me propozimin e opozitës të ngrihen komisione hetimore për ndërhyrjen në sistemin TIMS, dhe kontratave në Shëndetësi që i përkasin “Sterilizimit”, për të cilin SPAK-u tanimë ka vënë nën akuzë edhe ish-ministrin Ilir Beqaj dhe kontratën e “Check up”-it!



