Debate në Komision/ Siguria në shkolla, Bakiu kërkon seancë dëgjimore me ministrat Balla, Manastirliu e Gonxhja

Gjatë punimeve në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu, në fjalën e saj ka kërkuar që në Komision të thirren në një seancë dëgjimore ministri i Brendshëm Taulant Balla, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe ai i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Sipas Bakiut, ngjarjet e ndodhura së fundmi në afërsi të shkollave kërkojnë praninë e ministrave në këtë komision.

“Duke qenë se është folur për sigurinë në shkolla, dua të kujtoj se brenda një jave opinioni publik u trondit për të shtënat me armë në afërsi të një shkolle në Lezhë, si dhe humbjen jetës së një nxënësi në Fier.

Për të gjitha këto duhet të bëjmë një dëgjesë me ministren e Arsimit, Manastirliu, ministrin Gonxhja për arsimin profesional dhe ministrin Taulant Balla për paketën e sigurisë në shkolla”, tha Bakiu.

Kryetarja e Komisionit, deputetja socialiste Evis Kushi tha se kërkesat do të diskutohen gjatë punimeve në komision.

“Ne kemi zhvilluar para pak kohësh një dëgjesë me z. Balla. Po ashtu mund të diskutojmë patjetër mundësinë për ta kryer dëgjesën dhe me ministren e Arsimit, dhe me ministrin e Ekonomisë dhe Inovacionit”, tha Kushi.