“Inter ka diferencë”, Saki i thur elozhe zikaltërve: Të kënaq sytë me futbollin
Arrigo Saki ka qenë kritik ndaj lojës së Interit në sezonin e kaluar, por duket se këtë herë Inzagi e ka bindur.
Ish-trajneri legjendar i Milanit thotë se zikaltrit po bëjnë një futboll të bukur dhe në kampionat kanë një diferencë të ndjeshme që do t’i çojë drejt titullit kampion.
“Interi i këtij viti të kënaq sytë. Është një skuadër moderne dhe që luan futboll të bukur.
Sigurisht që jo perfekte, sepse ka gjithmonë vend për përmirësim.
Inzagi është një trajner i shkëlqyer, mbi të gjitha i respektueshëm dhe i edukuar.
Sot për sot më duket një trajner më shumë europian dhe është përmirësuar nga viti në vit.
Më përpara, Interi kur shënonte mbyllej në mbrojtje. Ndërsa këtë vit, kërkon të shënojë gjithmonë më shumë për të siguruar ndeshjet. Kjo është një veti e skuadrave të mëdha.
Duan të dominojnë kundërshtarin dhe gjithçka duket se ka lindur në finalen e Champions-it në vitin e kaluar.
Aty fituan vetëbesim dhe tani kanë dëshirë për të vazhduar rrugëtimin si në kampionat ashtu edhe në Champions. Mendoj se distanca me ndjekësit në Serinë A është e madhe. Ka garë ende, por Interi nuk mund të gabojë këtë herë”, ka thënë Saki.
