Berisha: Pallatin "e Ramës" e ka ndërtuar komandanti i Gardës që ishte marrë me prostitucion

Nga ballkoni i banesës së tij ku qëndron i izoluar që prej 30 dhjetorit 2023, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se pallatin "e Ramës" e ka ndërtuar komandanti i Gardës që ishte marrë me prostitucion.

Fjala e Berishës:

Prej muajsh, Belind Këlliçi paraqet çdo ditë para shqiptarëve dokumente që faktojnë se kryehajduti i vjedhjes së shekullit është Edi Rama.

Se pronari i djegësit të Tiranës është Erion Veliaj.
Ka dorëzuar në Skap me qindra e mijëra dokumente.

Cili është regimi? E patë vetë se si Baton Stanishiçi do e kërcënonte në studio televizive, kujdes ti se po të ndjek Skapi.
Pra, jo vetëm që Dumani, Kraja nuk akuzojnë Ramën, Veliajn dhe bandën e tyre, por kanë mision ndjekjen, persekutimin, krijimin e dosjeve false për ata që denoncojnë Ramën, Veliajn, Dumanin, Krajën, organizatën e tyre kriminale.

Atëherë sot ka vetëm një rrugë, o sot o kurrë, të gjithë në betejë.
U bëj një apel, u përcjell një mesazh të gjithë atyre shqiptarëve që me 25 prill, shkuan në qendrat e votimit.

A votuat ju për përfaqësuesin tuaj që të mbrojë në parlament interesat tuaja apo votuat për parlamentin Rama-Linda, që nuk ka ligj, nuk ka moral, nuk ka normë, nuk ka standard.

A votuat ju për një parlament që nuk lejon deputetët e opozitës të hetojnë vjedhjet monstruoze të Edi Ramës, të hetojnë udhëtimet e tij me 21 milionë euro shpenzime abuzime në dy vite, të hetojnë vilën e tij të ngritur kur ka pasur vetëm 3800 euro, të hetojnë me dhjetëra tendera të fituara nga thjeshtra, duke përdorur pushtetin e Edi Ramës në shkelje të ligjit, në shkelje të Kushtetutës. Abuzim flagrant.

Të hetojnë pallatin pesëkatësh! A e dini ju kush e ka ndërtuar pa asnjë faturë doganore, bankare, ndërtimore?

Pallatin e Lindës së Surrelit e ka ndërtuar komandanti i Gardës, që ishte marrë me prostitucion dhe ishte larguar nga detyra. Kompania e vëllait të tij, de facto kompania e tij.

Shikoni miq, pasi ishte larguar nga detyra për akte të turpshme, kriminale, ai ishte emëruar komandant Garde nga Edi Rama, sepse Edi Rama vetëm nga banditët e ndjen veten të sigurt dhe mund të mbrohet.