Shehaj pyetje për Bashën: Ato pronat e trashëguara, mos vijnë nga bastet online?!

Brisida Shehaj, eksperte e ekonomisë, nuk e ka kursyer sarkazmën e saj ndaj Lulzim Bashës, ish-kryetarit të PD, të cilit siç shprehet nuk ia ka ndier më zërin as për çështjen e basteve online, as për inceneratorët, ndër dy betejat më të forta të opozitës kundër korrupsionit qeveritar.

Reagimi i saj ka ardhur pas një konference për shtyp që Basha mbajti sot, ku e cilësoi korrupsionin "kancer" si për ekonominë, edhe për sigurinë kombëtare dhe vuri në pah propozoimin e tij se shpëtimi ishte "Vettingu i politikanëve". 

Pikërisht në këtë pikë, Shehaj i është drejtuar me një shënim në Facebook Bashës.

"Kam një pyetje dhe pse e di që do më komentoni duke më thënë “akoma me Bashën merresh?! Por realisht jam shumë kurioze të di nga Lulzim Basha, ato pronat dhe apartamentet e trashëguara, mos vallë janë blerë me të ardhurat nga biznesi i lidhur me bastet online dhe a janë te kulla e Lion Park?! Që të jemi të qartë, është biznes legal i ofruar për kompani të huaja, por thjesht me e dit se s’ia kam ndjerë më zërin për bastet dhe inceneratorët.

Hera e fundit që ka folur para nja 5 vitesh ishte se do të bënte hatanë me denoncime për lidhjet e një eksponenti rilindas me lojërat e fatit, por ende po e presim ose kush e ka dëgjuar, ju lutem më sillni linkun. I dashur Lulzim, ti je ithtari i Vetingut në politikë, prandaj të lutem bëje këtë transparencë për të mirën e vendit!  Bëhu ti shembulli që të të ndjekin të tjerët!” i sugjeroi Shehaj në fund.