Duka në një rrëfim ndryshe / Sfidat, sukseset dhe objektivat e së ardhmes në krye të FSHF-së

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka në një intervistë në medie, ka rrëfyer eksperiencën e tij në krye të FSHF-së, sfidat, sukseset dhe objektivat e së ardhmes.

Kreu i FSHF-së u ndal te vështirësitë që ai ka hasur gjatë këtij rrugëtimi dhe komentoi ndryshimet e mëdha që ka pasur futbolli i djemve dhe vajzave në vendin tonë.

Gjithashtu, presidenti Duka bëri thirrje edhe njëherë për ligjin e sponsorizimit, që ende nuk është aplikuar. Ai tha që duhet të ketë një ligj të sponsorizimit që të ndihmojë sportin në përgjithësi në Shqipëri dhe jo vetëm futbollin.

“Koha është relativisht e gjatë, por edhe ndryshimet janë vërtetë shumë të mëdha gjatë kësaj kohe, ndryshimet në futboll, për zhvillimin e futbollit, por edhe ndryshimet personale janë të mëdha. Në ditët e para kur kam ardhur në Federatën e Futbollit kam menduar që është një gjë jo impenjative, kam menduar një gjë që nuk do të më marri shumë kohë, nuk do të ketë shumë nevojë për mua. Kisha një koncept të gabuar për këtë institucion, por pasi u gjenda në të, pashë që ishte një impenjim i madh, kishte shumë gjëra për të bërë. Besoj se kemi bërë diçka, besoj se jemi shumë më ndryshe se sa ditë e para kur ishim një institucion inegzistent nga pikëpamja organizative, shumë pak prezent edhe me aktivitetet. Në fillimet e mia në vendin tonë bëhej vetëm një aktivitet në Kategorinë e parë dhe një në Kategorinë e dytë me sistem grumbullimi, ndërsa sot ne organizojmë jo vetëm Kampionate Kombëtare të gjitha niveleve, por organizojmë edhe Kampionate rajonale për fëmijët, për amatorët, të veteranëve, të vajzave që nuk egzistonin në atë kohë dhe që është zhvilluar shumë. Për të thënë në numër organizojmë rreth 600 ndeshje në javë. Edhe në përfaqësimin internacional të futbollit shqiptar, që jemi në të gjitha nivelet që ka organizime Kombëtare në Europë, apo në kualifikueset Botërore si për vajza dhe për djem. Pra ndryshimi është i madh, qoftë nga numri i futbollistëve dhe futbollisteve që janë në aktivitet, qoftë nga aktivitetet por edhe nga përfaqësimi dhe nga rezultatet”, u shpreh Duka.

Duka foli dhe për sfidat si zv/president i UEFA-s.

“Kur kam filluar si presidenti i FSHF-së që të mëndoja se do të bëhesha zv/presidenti i UEFA-s vërtetë ishte utopike. Nuk e kam menduar sepse me të vërtetë kemi qenë në kushte të pabarabarta me të tjerët në ato kohë, por me kalimin e viteve, me zhvillimin e futbollit në Shqipëri, me rezultate, me ndryshimin e infrastrukturës, apo të vetë institucionit, që për mua nëse do ta konsideroja sukses, më i madhi është organizimi dhe konsolidimi i FSHF-së dhe kthmin e saj në një faktor udhëheqës dhe të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit në vend. Nga kjo besoj se vjen edhe përfaqësimi i futbollit shqiptar në nivelin Europian. Jo vetëm me mua si anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe zv/president i UEFA-s, por me një pjesë të madhe të futbollit shqiptar. Kur unë kam filluar si President vendi ynë kishte vetëm një delegat ndeshje në atë kohë, ndërsa sot numëron mbi 15 anëtar të komiteteve të ndryshme sepse kështu është organizimi i UEFA-s, me komitete për çdo fushë, ku dy drejtohen nga unë, por në të gjitha komitetet kemi përfaqësues nga futbolli shqiptar. Nëse nuk ke zhvillim në vendin tënd është e vështirë që të kërkohesh për të kontribuar në futbollin europian. Është vlerësim për futbollin, për Federatën, përfaqësimi në nivelin Europian, jo vetëm si zv/president, por me një pjesë të mirë të administratorëve, të specialistëve dhe të arbitrave shqiptarë”, u shpreh Duka.