Barcelona fiton ndaj Alaves, 18-vjeçari bëhet protagonist tek Barça, shënon gol dhe ndëshkohet me karton të kuq
Barcelona triumfoi mbrëmjen e sotme në transfertë ndaj Alavesh me rezultatin 1-3 duke u ngjitur përkohësisht në vendin e tretë në La Liga.
Katalanasit nuk e kanë provuar ende shijen e humbjes në ndeshjet jashtë shtëpisë, teksa në 11 duele kanë regjistruar 6 fitore dhe 5 barazime.
Për sa i përket përballjes së sotme, serinë e golave e hapi Robert Levandovski në minutën e 22-të, pas asitit të Gyndohan. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-1.
Në fragmentin e dytë ishin sërish katalanasit që shënuan me Gyndoan që ngriti shifrat në 0-2.
I menjëhershëm ishte reagimi i vendasve që ngushtuan shifrat në 1-2 me Omorodion.
Ndërkohë në minutën e 63-të, për të vulosur sfidën mendoi talenti 18-vjeçar Vitor Roque.
Braziliani u hodh në fushë në minutën e 59-të, teksa në të 63-tën, arriti të gjente rrugën e rrjetës, për 1-3.
Ky ishte goli i dytë radhazi në kampionat për 18-vjeçarin që po shndërrohet në protagonist absolut.
Jo vetëm gol i shënuar, pasi në minutat 67 dhe 72, Vitor, u ndëshkua dy herë me karton të verdhë duke lënë skuadrën me 10 lojtarë.
Gjithsesi ekipi i Ksavit e menaxhoi mjaft mirë rezultatin duke bërë që sfida të mbyllej me shifrat 1-3. Në duelin e radhës Barcelona do të presë në shtëpi Granadën e Myrto Uzunit.
