Dhunë edhe në Futsal, akuzon Vllaznia: Në Vlorë u dhunuam nga tifozët, ligji duhet të veprojë

Në "Pallatin e Sportit" Flamurtari të Vlorës këtë të shtunë duhet të luhej java e gjashtë e Kampionatit të Futsalit.

Ndeshja mes Flamurtarit dhe Vllaznisë zhvilloi vetëm pjesën e parë, pasi në parket kishte akte dhune.

Shkodranët e futsalit kanë bërë një reagim në kanalet e komunikimit, teksa kanë treguar se pasi kanë shënuar, tifozët u futën në fushë dhe ushtruan një dhunë të paprecedentë, duke bërë thirrje që drejtësia të reagojë së bashku me organizatorët e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Për fat të mirë asnjë i lënduar, ndërsa kjo situatë në futbollin shqiptar është për të ardhur keq, me dhunën që nga fushat e futbollit po zhvendoset në parket.

"Në Vlorë shkuam për të luajtur futboll dhe me qëllim të qartë për marrë pikët të cilat vetë i humbëm në Shkodër. Treguam karakter që në minutat e para të ndeshjes dhe kaluam 2 herë në avantazh.

Nga ai moment asgjë nuk kishte më lidhje me sportin.

Ekipi jonë duke përfshirë edhe drejtorin Arben Xhaferi u përball me një dhunë të papreçendentë nga tifozeria vendase të cilët zbritën në fushë dhe dhunuan fizikisht të gjithë stafin e Vllaznisë Futsal.

Fatmirësisht gjithçka është mbyllur pa dëmtime serioze për shëndetin e lojtarëve por ngjarja është një njollë e zezë për sportin Shqiptar.

I bëjmë thirrje Federata Shqiptare e Futbollit dhe organeve ligjzbatuese të merren masa ku ndëshkushmëria të jetë e atillë që askush të mos guxojë të përsërisë veprime të tilla", njoftojnë shkodranët.