Inzaghi largon presionin: Kundër Juventusit, jo ndeshje vendimtare për titullin
Simone Inzaghi ka folur në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së madhe, që do të luhet nesër mbrëma në “San Siro”. Interi i tij do të sfidojë Juventusin, që e ndjek hap pas hapi nga vendi i dytë.
Një sfidë shumë e përzemërt, siç pritej, dhe që mund të shkruajë një faqe shumë të rëndësishme për sa i përket titullit, edhe pse trajneri zikaltër nuk e konsideron vendimtare. Më poshtë janë deklaratat e trajnerit nga Piacenza pak më shumë se 24 orë para përballjes direkte me bardhezinjtë:
“Sigurisht është një ndeshje shumë e rëndësishme, jo vendimtare, por shumë e rëndësishme. Do të jetë shumë e ngushtë. Ndeshja e fazës së parë nuk ishte emocionuese, por nesër do të luajmë në shtëpi, para tifozëve tanë. Pra, do të përpiqemi ta luajmë ndeshjen më mirë, duke ditur se po përballemi me një ekip të madh, që ka pasur një rrugëtim të ngjashëm në kampionat me tonin.
Objektivi është që të gjitha ndeshjet të luhen në mënyrën më të mirë të mundshme. Renditja është e ngjashme me atë të Juventusit. Duhet të jemi mirë, e dimë rëndësinë e ndeshjes, edhe sepse luajmë në stadiumin tonë. Gjithsesi, ne kemi respekt të madh për Juventusin.
Kemi luajtur shumë herë kundër Juventusit vitet e fundit, kemi pasur finale shumë të rëndësishme, ndeshje kampionati, finale të Kupës së Italisë. Natyrisht, çdo ndeshje ka historinë e vet. Nesër do të jetë një ndeshje shumë e ekuilibruar, do të duhet të përdorim shumë kokën dhe zemrën. Duhet të jemi gati të bëjmë diçka shtesë për shokun e skuadrës nëse ai është në vështirësi. Juve ka një ecuri të jashtëzakonshme në kampionat. Ndryshe nga ne ka luajtur 24 ndeshje, ndërsa Interi 30.
Të dyja skuadrat do të kenë presion, por në të njëjtën kohë do të duhet të jemi të lumtur për të luajtur një ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të ketë presion, siç është normale në futboll, por duhet të jemi krenarë që luajmë një ndeshje të tillë. Ne në stadiumin tonë do të kemi mbështetjen e tifozëve, duam t’i bëjmë ata të lumtur.
Allegri ka fituar shumë, është një trajner fitues, ekspert dhe praktik. Më pëlqen shumë si trajner. Jemi të moshave të ndryshme, ajo që mund të them është se këtë sezon pashë një Juventus të shkëlqyer. Duke fituar 16 ndeshje nga 21 do të thotë se është ekip shumë i mirë. Duhej një super skuadër për të vazhduar rivalitetin me Interin dhe Juventusi po tregohet i tillë”.


