Jupi: Forumi i Gruas në PD të fitojë aftësinë e ripërtëritjes
Sekretarja për gruan në Partinë Demokratike, Taulanda Jupi dhe nënkryetarja e kësaj partie Orjola Pampuri zhvilluan takim me gratë e degës 5 në Tiranë.
Sipas një postimi në rrjetet sociale, Jupi u shpreh se Forumi i Gruas në Partinë Demokratike duhet të fitojë aftësinë e ripërtëritjes, të jetë përfaqësuese e vlerave më të mira të Partisë Demokratike dhe shoqërisë shqiptare.
“Në këtë rrugëtim çdo grua dhe vajzë në Partinë Partinë Demokratike ka mbështjen e pakursyer të kryetarit të partisë Z.Lulzim Basha, kryesisë dhe lidershipit të saj”, u shpreh ajo.
“Forumi i Gruas në Partinë Demokratike duhet të shndërrohet në një organizatë ku realisht të përballen ide, platforma, apo vizione të reja, të vlerësohet puna, aftësitë, merita, kontributi, integriteti dhe koherenca, si të vetmet mjete që mund çlirojnë energjinë e duhur dhe t’i japin shansin kësaj organizate të jetë përfaqësuese e çdo gruaje dhe vajze shqiptare”, u shpreh Jupi.
Sipas saj, me mbështetjen e zonjave kurajoze demokrate, projekti do të shndërrohet në realitet.
