Borë dhe ngrica, Jole: Emergjencat në Korçë në gatishmëri. Drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole informoi sot se strukturat e emergjencave civile në çdo bashki, ekipet dhe mjetet borëpastruese të tyre dhe subjekteve të kontraktuara, janë në gatishmëri të plotë në të gjithë qarkun për shpërndarjen e kripës dhe heqjen e borës që do të përfshijë sot juglindjen e vendit.

Jole tha se “strukturat do të qëndrojnë gjtihashtu në monitorim të vazhdueshëm të çdo aks rrugor, për të garantuar që qarkullimi të kryhet pa probleme”.

“Në kushtet e borës dhe temperaturave të ulëta, drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit drejt qarkut tonë dhe të jenë të pajisur me goma dimërore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, theksoi Jole.

Prefekti Jole u shpreh se “qarku ynë edhe gjatë kësaj fundjave, pavarësisht kushteve të motit, ngelet destinacion i preferuar dhe këtë e dëshmojnë rezervimet në strukturat mikpritëse në Korçë, Voskopojë, Dardhë, Pogradec, Kolonjë, etj”.

Ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave IGJEO parashikojnë se sot në juglindje të vendit në lartësitë mbi 300 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore. Ndëra nesër, në datë 21.01.2023, parashikohet ndërprerja e reshjeve te shiut, por priten ngrica të forta, kryesisht në zonat malore.