Situata nga bora në Tropojë, Byberi: Rrugët të hapura, probleme me energjinë në 3 fshatra

Reshjet e dëborës kanë përfshirë sot Tropojën, ku trashësia e saj në qytet arrin në 20 cm dhe në Parkun Kombëtar të Valbonës në 70 cm.

Kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi tha për ATSH-në se “rrugët janë të hapura, ndërsa mjetet borëpastruese që në orët e para të mëngjesit vazhdojnë punën pa ndërprerje pastrimin e tyre nga dëbora”.

Byberi u shpreh se “kemi problem me energjinë elekrike në Nikaj Mërkur, Tropojë e vjetër dhe në Degë, pasi rrjeti është i amortizuar”.

“Sapo përfunduam një mbledhje të Shtabit të Emergjencave në Tropojë dhe ndamë detyrat për të bërë të mundur kontrollin për riparimin e linjave elektrike të dëmtuara”, tha Byberi.

Kryebashkiaku Byberi theksoi se “qyteti furnizohet me ujë të pijshëm”.

Ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave IGJEO parashikojnë se sot në veri dhe juglindje të vendit në lartësitë mbi 300 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore. Ndëra nesër, në datë 21.01.2023, parashikohet ndërprerja e reshjeve te shiut, por priten ngrica të forta, kryesisht në zonat malore.