Noka: Rama dhe mafia ndërkombëtare me Skapin e Partisë u përdorën për të mposhtur Berishën, por dështuan

Sekretari i Përgjithshëm i grupimit të Rithemelimit në PD, Flamur Noka zhvilloi sot një takim me  kryetarët e degëve.

Noka reagoi ndaj Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, SPAK, e cila rrëzoi sot kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për t’i lejuar atij të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është nën masën e sigurisë “Arrest Shtëpie”, pasi është nën hetim për akuzën e korrupsionit, kërkoi nga SPAK leje për të marrë pjesë në seancat plenare.

Noka u shpreh se, “e penguan sot Sali Berishën të shkonte të bënte detyrën, të përfaqësonte në Kuvend qindra mijëra shqiptarët që i besojnë dhe votojnë Partinë Demokratike”.

Noka theksoi se SPAK, “pa asnjë argumentim, ndalon një deputet të Kuvendit të Shqipërisë dhe një kryetar opozite, që të jetë përfaqësuesi i zgjedhësve të vet”.

“E pengojnë edhe opozitën reale të Shqipërisë që të marrë vendin që i takon me ligj në Komisionin e Reformës zgjedhore. Na penguan dhe po na pengojnë që të bëjmë detyrën për të cilën jemi dërguar në atë parlament”, tha ndër të tjera Noka.