SPAK i kritikuar, Dumani: Shumë çështje kanë afat të gjatë hetimi, nuk më prek presioni politiko-mediatik!


Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër krimit dhe Korrupsionit Altin Dumani ka reaguar pas sulmeve politike, teksa është shprehur se nuk preket nga kritikat. Madje i pyetur për presionet shprehet se as ato nuk ndikojnë në hetime.

Hetimi i  dosjes "Partizani" dhe masat e kërkuara ndaj Sali Berishës e kanë vënë SPAK nën një presion mediatik të vazhdueshëm.

Kritikave dhe akuzave kreu i prokurorisë së posaçme Altin Dumani  iu përgjigj në tryezën performance, llogaridhënia e raportimi në luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar.

Asnjë nga deklaratat, tha ai, nuk ndikojnë në hetime. Madje këtë mesazh theksoi Dumani e përcjell edhe në takimet me prokurorët. 

Dumani: SPAK është përpjekur të ndërtojë marrëdhënie të mirë me shoqërinë civile dhe do të vazhdojmë të jemi bashkëpunues. Shumica e çështjeve të SPAK kërkojnë afat të gjatë, ka shtyrje të seancave dhe zvarritje të hetimit. Çështjet me 20 te pandehur krijojnë shtyrje. Sidomos çështjet me natyrë korruptive dhe shkelje e barazisë në tendera, apo edhe shpërdorimi i detyrës kërkojnë kohë shumë të gjatë, por edhe teknika speciale.

Natyra e hetimeve të SPAK, sipas kreut të institucionit kërkojnë gjithashtu teknika speciale teksa çështjet nuk krahasohen me ato të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm.

Dumani: Nuk krahasohet një çështje e SPAK me një çështje të prokurorive të juridiksionet të përgjithshëm. Sa i takon transparencës ne jemi përpjekur aq sa ligji na lejon të jemi transparent me publikun dhe të gjitha i kemi publikuar në faqen e SPAK. Ka njoftime të rralla kur interesi publik është shumë i madh dhe ne kemi reaguar. Presioni mediatik dhe retorika politike nuk ka asnjë lloj ndikimi. Jam imun ndaj të dyjave. Këtë përpiqem t’ua përcjell edhe hetuesve. Jemi të vëmendshem kur evidentohen problematika nga media apo politika në diskutime të ndryshme, sigurisht që ne i ndjekim. Por në raport me hetimet nuk na ndikojnë. 

Në kuvend prokuroria ka kërkuar masë arresti në shtëpi ose burg ndaj Berishës. Por me cilën do të paraqitet në gjykatë, dumani këtë ia lë në dorë prokurorëve përkatëse.

Në tryezën e përbashkët morën pjesë gjithashtu dhe ligjvënëset Klotilda Bushka dhe Dhurata Çupi, të cilat vlerësuan punën e drejtësisë gjatë viteve të fundit duke shtuar se tashmë ka rënë miti i paprekshmërisë së zyrtarëve të lartë.