Vrasja që “shkriu” burgun e Peqinit, Softa: Me kamera kontrollojmë lokalet, jo më burgun. E paimagjinueshme ajo që ka ndodhur
Vrasja mafioze me armë zjarri e të dënuarit Arben Lleshi, brenda qelisë në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit nga i dënuari përjetë Sokol Mjacaj ka ngritur alarmin e sistemit të sigurisë në institucionet peniticiare në vend.
Eksperti i sigurisë fajton Softa i ftuar në emisionin “Epiqendër” në Ora News të moderuara nga Sonila Musai u shpreh se ka disa gjëra që nuk kanë funksionuar.
“Ose neglizhenca, ose mungesa e profesionalizimit, ose korrupsioni. Nuk di kujt tjetër t’i vëmë një epitet. Sepse na del që kemi të bëjmë me një gjeni që ka futur armën në burg.
Pastaj pse personi në fjalë që kreu krimin, pse ka kërkuar të dorëzohet tek prokurori dhe jo të njerëzit e burgut.
Sepse na del që edhe vrasësi paska frikë nga përfaqësuesit e institucioneve të burgjeve. Nëse nuk bëjmë një analizë të plotë dhe nuk dalim tek përgjegjësitë, pastaj vijmë tek ato që ne i themi pasoja.
Dhe pasoja do të thotë që nuk do të ketë siguri kështu nëse do të vazhdojmë me këto mënyra dhe me këto metoda.
Është e paimagjinueshme që ne të themi që mungojnë elementët e kontrollit në burgje, sidomos me kamerat. Me to kontrollohen sot lokalet, jo më burgjet. Dhe ne nuk jemi dot në gjendje të zbulojmë brenda një burgu jo përgjegjësinë, por shkeljet dhe padrejtësitë që mund të bëjë një punonjës i burgut”, u shpreh ndër të tjera Softa.


