Skandali i përgjakshëm në burgun e Peqinit, Faik Basha: Është shkëputur zinxhiri i informacionit në armatosjen e Mjacajt
Drejtori i burgut të sigurisë së Lartë në Peqin, Kamber Hoxha si dhe 10 punonjës të tjerë janë lënë në burg nga Gjykata e Elbasanit këtë të martë, pas vrasjes së ndodhur pak ditë më parë në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, ku i dënuari Sokol Mjacaj, vrau të burgosurin përjetë Arben Lleshi, si dhe plagosi një tjetër.
Sipas Prokurorisë, Mjacaj e ka patur armën në qelinë e tij, prej afro 20 ditësh, ndërkohë që është e paqartë se si, dhe kur, pistoleta e përdorur nga ai, ka hyrë në mjediset e brendshme.
Lidhur me këtë ngjarje në emisionin “Epiqendër” në Ora News, specialisti i sigurisë në burgje Faik Basha u shpreh se kjo vjen si pasojë e neglizhencës së shtetit ndaj punonjësve të këtyre burgjeve.
“Çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që është shkëputur zinxhiri i informacionit, i cili është pushtet dhe siguri. Informacioni është element sigurie që vjen nëpërmjet burimeve njerëzore. Aty po të shikosh, shumë pak janë punonjës që kanë vite që punojnë aty, pasi ata punojnë për pak muaj dhe lëvizin.
Pra është një ç’organizim i organizuar me atë që ndodh me punonjësit e burgjeve. Sa i përket elementeve të sigurisë protokolli është shumë i rreptë dhe nuk lejon futjen e asgjëje që nuk është blerë nga ky institucion.
Janë 5 veta në komisionin e kontrollit. Janë persona që e njohin shumë personin që është aty në institucionin e sigurisë. Pra është një trupë shumë e madhe që bën menaxhimin dhe futjen e sendeve që janë për të dënuarit.
Unë jam i pari që e kam hedhur idenë e dronit në futjen e armës në burgje, sepse raste të tilla ka pasur plot dhe kanë pasur sukses sa i pirjet aspektit negativ”, u shpreh Faik Basha.


