SPAK dërgon në gjyq kryebashkiakun Kreshnik Hajdari, nuk deklaroi dënimin në Greqi

Me argumentin se nuk deklaroi dënimin për kalim të paligjshëm të kufirit në Greqi, kryebashkiaku i Kuçovës do të përballet me akuzën në gjykatë. SPAK ka përfunduar hetimet duke kërkuar dënimin për falsifikim të formularëve

Prokuroria e posaçme e ka konsideruar shkelje ligjore mos deklarimin e dënimit në Greqi prej kryetarit të bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari.

Në njoftimin për mediet thuhet se ngjarja ka ndodhur në vitin 1999 kur ai ka hyrë në territorin e Greqisë në mënyrë të parregullt. Për këtë në qershor të atij viti gjykata e Janinës e dënoi me masën riedukuese të qortimit.

Por pas kthimit në shqipëri, me miratimin e ligjit të dekriminalizimit fituesit në zgjedhje qoftë vendore apo parlamentare do të duhet të deklarojnë çdo dënim të marrë.

Ndaj SPAK konstaton se në formular fituesi i votimeve për kryetar të bashkisë në Kuçovë nuk e ka kryer këtë detyrim.

Për këtë ndaj tij rëndon akuza për falsifikimin e vulave dhe formularë akt i dënueshëm nga 6 muaj deri në 4 vite burgim.

Tashmë SPAK dosjen e ka dërguar në gjykatë për nisjen e shqyrtimit, dhe palët do të duhet të përballen para togave të zeza.

Çështjen më herët e ka shqyrtuar edhe komisioni qendror i zgjedhjeve dhe në përfundim të shqyrtimit Ilirian Celibashi u shpreh se masa e dënuar nuk përbën shkak për mos kandidim, ndaj dhe mos deklarimi nuk mund të jetë shkak për ti hequr mandatin.

Padinë ndaj tij në të dy rastet i nisi kandidati i bashkë fitojmë në zgjedhjet e 14 majit Lefter Maliqi.