Vrasja dhe (pa)siguria në burgun e Peqinit, Prençi: Sistemi ka rënë. Ja precedenti më i rrezikshëm që krijoi tërmeti “Mjacaj”

Gjykata Elbasanit zhvilloi këtë të martë një seancë gjyqësore ndaj të dënuarit me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj, i cili pak ditë më parë vrau një tjetër të burgosur në Burgun e Peqinit, Arben Lleshin.

Bashkë me Mjacajn në gjyq dolën dhe 12 zyrtarë të burgut, përfshirë edhe drejtorin Kamber Hoxha.

Lidhur me këta të fundit mësohet se trupa gjykuese në Elbasan ka vendosur lënien në burg për 11 prej tyre, ndërsa masa “detyrim paraqitjeje” është dhënë për efektivin e burgut Vilson Shima.

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Premçi i ftuar në emisionin “Ora e Betit” të gazetares Beti Njuma në “Ora News”, u shpreh se sistemi i burgut atje ka rënë.

“Edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve e pranoi në atë që tha se ka rënë sistemi. Dhe unë të argumentoj bazuar në thënien tuaj që sistemi ka rënë.

Ngjarja “Mjacaj” së pari ka vërtetuar që me ndërhyrjen e Prokurorisë ka arrestuar 12 punonjës policie. Unë jam i bindur, prokurori është i bindur, opinioni publik është i bindur se Mjacaj nuk ka bashkëpunuar me 12 personat që u arrestuan, por me maksimumin 2 prej tyre.

Prokuroria ka bërë terror mbi policinë e burgjeve për t’i thënë shqiptarëve mos punoni në policinë e burgjeve duke i thënë se të gjithë do shkoni në burg.

Ndërkohë që të gjithë e kanë marrë vesh që sistemi i kamerave dhe i kontrollit me dedektivë, apo me skaner në sistemin e burgjeve nuk punon në masën më shumë se 50 %.

Po këto ditë, opinioni publik ka dëgjuar këto ditë që ministria e Drejtësisë ka pasur në dispozicion 5.6 milionë euro për të përmirësuar sistemin e kontrollit. Këtu është çështja e menaxhimit, nuk e di nëse e keni dëgjuar me vëmendje dhe ministri i Drejtësisë del publikisht dhe komunikon masën 41 BISS për Mjacajn.

Nuk është detyrë e ministrit të dalë në media të tregojë një masë shtrënguese për një të burgosur të dënuar me burgim të përjetshëm që nuk ëhstë eksponent i krimit të organizuar, të strukturuar, po është vrasës, por nuk është potencial ka të tjerë potencialë, janë rreth 200 të tillë në burgjet shqiptare të dënuar me burgim të përjetshëm, 125 prej tyre ishin mbledhur në Burgun e Peqinit.

Ndërkohë që të tjerë të dënuar hanin karkaleca në burgun e Durrësit dhe kur ndodhi tërmeti “Mjacaj” u transferuan në Fier. Pse? Sepse ka rënë sistemi pra. Ka rënë menaxhimi.

Dhe precedenti më i keq që ka ndodhur ndonjëherë u bë një vrasje brenda burgut me armë zjarri mes të burgosurve të dënuar me burgim të përjetshëm.

Çka do të thotë që ky precedent krijon precedentin më të rrezikshëm ku tashmë edhe persona shumë të rrezikshëm si Dritan Rexhepi e Lulzim Berisha do të thonë që ne nuk duam të ekstradohemi në Shqipëri, sepse atje nuk e ke jetën e sigurtë”, u shpreh eksperti Shemsi Prençi.