Vrasja në Peqin, ish-kreu i Burgjeve, Arben Çuko: Ngjarja është shumë e rëndë, sistemi i sigurisë tregoi të çara
Vrasja mafioze me armë zjarri e të dënuarit Arben Lleshi, brenda qelisë në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit nga i dënuari përjetë Sokol Mjacaj ka ngritur alarmin e sistemit të sigurisë në institucionet peniticiare në vend.
Eksperti i sigurisë dhe ish-deputeti socialist dhe ish-kreu i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në Ora News të moderuar nga Beti Njuma u shpreh se ka disa gjëra që nuk kanë funksionuar.
“Dy javë më parë në një burg të sigurisë së lartë në Arizona të SHBA-ës kishin arritur të fusnin brenda automatikë. Në Greqi ka raste pafund. Por dua të theksoj se ngjarja është shumë e rëndë.
Siguria në burgun e Peqinit kishte pësuar shumë krisje, apo çarje. Po të futesh më thellë, me informacionet e mia, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe ministri dolën në konkluzionin një muaj më parë se sistemi i sugurisë në burgun e Peqinit kishte rënie nën standardet e kërkuara të sigurisë.
Një nga masat e marra ishte shkarkimi i drejtorit të burgut dhe shefin e policisë, i kaluan për ndjekje penale, dhe sot i dhanë pëtr ndjekje penale disa policë bashkë me drejtorin.
Dërguan atje dy persona, unë kam punuar me Kamber Hoxhën dhe Nikolin Gjonpalaj, dhe janë ndër specialistët më të mirë dhe më të ndershëm që ka sistemi sot.
Por kuptohet që për 20 ditë kohë nuk mund të presësh mrekullia. Sepse sistemet e sigurisë së lartë përbëhen nga 3 elementë: inteligjenca e menaxhimit, personeli njerëzor dhe sistemi i teknologjisë. Unë nuk mund të them se kush ka çaluar, por mund të konstatoj se rënia e sigurisë u kap dhe nisën masat për ta rivënë në standard.
Njëri nga 3 elementë të çalojë, ka probleme. Nëse mund të depërtojë një telefon, atëherë mund të depërtojë edhe një armë. Më besoni atë që po ju them, një polic të korruptohet, aty miund të presësh gjithçka.
Këtë e kam nga eksperienca ime, dhe kishin prerë hekurat me brisk “big””, u shpreh ndër të tjera, ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Arben Çuko.




