Italia liron Alket Hatinë, njihet si “Zoti i drogës”

Autoritetet italiane kanë liruar Alket Hatinë, shqiptari i cilësuar si “Zoti i drogës”.

Hatija, një eksponent i njohur në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, u arrestua në gusht të këtij viti në Durrës me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë. 50-vjeçari, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi gjykata e Apelit e kishte dënuar atë me 20 vite burgim.

Por pas procedurave të kryera, gjykata italiane ka bërë me dije se Hatija ka vuajtur dënimin në Shqipëri.

Alket Hatija i arrestuar në Durrës më 30 gusht 2023, ndërsa më 8 shtator do të ekstradohej nga Shqipëria në Itali ku do t’i nënshtrohej dënimit me 20 vite burg marrë nga drejtësia italiane më 2017-ën.

Për autoritetet e këtij vendi ai njihet si “Zotëria i Drogës” e drejtues i një organizate trafiku kokaine e heroine.

Një vendim i shkallës së parë të Gjykatës së Durrësit pengoi më 2017 ekstradimin e tij në Itali me motivin se për të njëjta akuza e kishte kryer dënimin në Shqipëri.

Më pas më 2021 Gjykata e Apelit në Shqipëri hodhi poshtë këtë vendim e autorizoi ekstradimin e tij drejt Italisë. Por prej shtatorit 2021 Alket Hatija humbi gjurmët, u shpall në kërkim e derisa u arrestua nga Policia shqiptare.

Italia liron Alket Hatinë, njihet si “Zoti i drogës”

/BW