Gazetari Elton Qyno ankimon në Apel vendimin e GJKKO-së për kontrollin e banesës dhe kërkon kthimin e sendeve personale

Avokati Dorian Matlija e ka cilësuar tejet të rëndë veprimin për sekuestrimin e celularit dhe kompjuterëve të gazetarit Elton Qyno. Pas ankimimit në gjykatë ai shprehet se janë rrezikuar burimet konfidenciale që janë të shenjta dhe që garantojnë lirinë e shprehjes

Gazetari Elton Qyno i është drejtuar me dy ankesa Gjykatës së Apelit dhe asaj të shkallës së parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kërkuar paligjshmërinë e kontrollit fizik, kontrollin e automjetit, të banesës dhe vendit të punës në televizionin “Ora News”.

I shoqëruar nga dy avokatët e tij, gazetari kërkoi heqjen e sekuestron së dy aparateve telefonike, dy kompjuterave, dokumentet dhe sendet e tjera personale të bllokuara nga oficerët e BKH-së në makinë, banesë dhe vendin e punës.

Dorjan Matlija, tha për mediat se për telefonat nuk ka asnjë procesverbal bllokimi.

“Është shumë e rëndë dhe mbi të gjitha janë në rrezik burimet e konfidencialitetit të gazetarit me të gjithë sekretet që ai ka në punën e tij. Dhe ky vendim do vazhdojë të qëndrojë në fuqi, nëse sekuestrot do ekzekutohen, të dhënat do nxirren, do bëhen pjesë e dosjeve, atëherë burimet, nuk do të kenë më besim tek gazetarët të punojnë nesër dhe ky është grushti më i rëndë që i jepet lirisë së shprehjes përmes standardit kaq brutal që vendos Gjykata e Posaçme e shkallës së parë.”

Nga ana tjetër gazetari i “Ora News” deklaroi se janë shkelur të gjitha ligjet, sa i përket mbajtjes për orë të tëra në ambientet e SPAK.

“Mirëpo pas përfundimit të kësaj procedure, sërish më është kërkuar në mënyrë të domosdoshme që të dorëzoja se do më sekuestroheshin telefonat. Në këtë moment kam refuzuar të bëj një veprim të tillë, e para, dhe e dyta edhe pse më është kërkuar në mënyrë ultimative dhe përsëritur që unë të tregoja burimin e informacioneve, sërish nuk e kam pranuar që të tregoj personin apo qoftë dhe personin...”

Nga ana tjetër avokati Llangozi, shprehet se me kërkesën për të dhënë burimin e informacionit cenohet profesioni i gazetarit.

“Gjykata e posaçme ka marrë një vendim që ka cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë profesionin e gazetarit. Njëkohësisht të gjitha sekuestrot që janë gjetur në banesën e Elton Qynos me profesion gazetar janë kundërshtuar në gjykatën e posaçme...”.

Padia e parë është dorëzuar në shkallën e parë dhe në të kundërshtohet vendimi i gjyqtares Atalanda Zeqiraj dhe padia e dytë është dorëzuar në Apelin e Posaçëm.