Kërkesa e SPAK për Berishën/ "Luftë" para Kryesisë së Kuvendit, policia blindon zonën në pritje të protestës

Këtë të hënë opozita ka paralajmëruar protestë, ndërkohë që po sot do të mblidhet dhe Këshilli i mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetit të Sali Berishës.

Sikurse shihet edhe në këto pamje një numër i lartë efektivësh të policisë së shtetit dhe të gardës të Republikës kanë zbritur në terren për protestën.

Mësohet se efektivë të gardës në numër të konsiderueshëm janë në brendësi të kryesisë, sakaq të gjithë gardistët dhe policët janë të pajisur me maska kundra gaz.

Rreth 700 efektiv policie, janë marrë masat nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit dhe të DVP Tiranë. Efektivë të Tiranës dhe të FNSH.

Janë marrë masa që afër kuvendit kanë edhe kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar çdo lëvizje  të protestuesve që policia të ketë të gjitha provat e mundshme  nëse do të ketë incidente

Vetë Berisha, ende nuk ka bërë të ditur, nëse do të jetë i pranishëm para Këshillit apo do të përfaqësohet nga mbrojtja e tij.  ‘Do të pyes avokatët!’, tha Berisha pak ditë më parë.

Në përbërje të Këshillit të Mandateve është kryeparlamentarja Lindit Nikolla dhe 4 deputetë të PS, ndërkohë që në pikëpyetje është prezenca e deputetëve të opozitës, për shkak se për 4 nga 5 ndaj tyre është marrë masa e përjashtimit.

Bëhet fjalë për Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Ervin Salianji dhe Saimir Korreshi, të cilët i janë bashkuar aksionit të mbështetur nga Sali Berisha për moslejimin e zhvillimit të komisioneve parlamentare dhe seancave plenare deri në plotësimin e kërkesave të tyre për ngritjen e komisioneve hetimore.

Por, ndërsa Këshilli i Mandateve do të zhvillojë shqyrtimin e mandatit të Berishës, ky i fundit me mbështetësit e tij do të mbajë një protestë para Kryesisë së Kuvendit.

Nuk protestojmë për personin, por protestojmë strikt për grushtin e shtetit brenda shtetit që po bën Edi Rama duke marrë pushtetin e parlamentit. Këto protesta do të jenë të pandërprera tani. Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër.”- thotë Berisha.

Protesta do të vazhdojë edhe të enjten, kur me gjasë, do të votohet në seancë plenare dhënia e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit, nëse socialistët nuk do të nxitojnë të thërrasin një seancë të posaçme më parë.