"Ishalla s'po na del dardhë” - Biseda mes Zenelit dhe Breçanit për dërgesën 69 kg kokainë nga Brazili. Ergys Dashi vonoi nisjen
Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit së bashku me persona të tjerë kanë depërtuar në linjat më të thella të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në ato të Bashkimit Europian.
Në dosjen e siguruar nga “Ora News” tregohet se grupi i Ervis Matës, ka bashkëpunuar me Ergys Dashin, njeriun që mbeti i vrarë në Ekuador.
Në një bisedë të përgjuar në “Sky” rezulton se anëtari i grupit të Matës, Ismail Zeneli flet me Eralbi Breccanin, duke i pohuar se po pret të bëhet dërgesa.
Në dosje thuhet s:”…më datë 18 shkurt 2021, në portin e Valencias në Spanjë, është sekuestruar rreth 69 kg kokainë e fshehur në motorin frigoriferik në fund të kontenierit, i cili transportonte fuçi me lëng limoni të ngrirë të koncentruar.
Ngarkesa thuhet se kishte ardhur nga Brazili. Nga hetimet del se të dyshuar për këtë trafik janë Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Eralbi Breçani dhe Ergys Dashi, ky i fundit i ekzekutuar në Ekuador.
Ismail Zeneli ka patur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil.
Si edhe të nxjerrjes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur do të mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier.

Artan Sulejmani ishte bashkëpunëtor i Zenelit, ndërsa Eralbi Breçani ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës, Brazil…”.
Në një nga bisedat që lidhen me këtë transport droge, ku i përfshirë del të ketë qenë edhe Ergys Dashi, i ekzekutuar disa kohë më pas në Ekuador, Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani, shprehin hapur dyshimin se mos Dashi, u bën ndonjë lojë.
Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin, duke qenë se nuk kanë besim tek Ergys Dashi për shkak se po vonon nisjen e lëndës narkotike nga Amerika e Jugut.
Në bisedë, Ismail Zeneli thotë: “…Ishallah s’na del dardhë…”.


