Tempulli-Shpërndante heroinë në doza, arrestohet 45-vjeçari në Berat

Vijon mega-aksioni “Tempulli”. Policia e Beratit ka vënë në pranga një 45-vjeçar i cili shiste heroinë të ndarë në doza me qëllim shitjen në lagje të ndryshme.

Efektivët e Beratit kanë sekuestruar  dozat e lëndës narkotike, një shumë parash të përfituara nga shitja e tyre dhe një celular.

“Ditën e djeshme, në kuadër të megaoperacionit "Tempulli", Policia e Beratit vuri në pranga 2 shpërndarës të tjerë droge.

Nga hetimet intensive dhe kontrollet e pandërprera në të gjithë territorin e qarkut, të kryera në kuadër të megaoperacionit "Tempulli", me qëllim identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të implikuar në veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat arrestuan shtetasin B. P., 45 vjeç, banues në Berat.

45-vjeçari u kap në flagrancë, në lagjen “22-Tetori”, teksa mbante me vete, një sasi lënde narkotike heroinë, të ndarë në doza, për shitje në lagje të ndryshme të qytetit. Dozat e lëndës narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me celularin e të arrestuarit dhe me një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga kjo veprimtari kriminale”, thuhet në njoftim.