Vrasja e të miturit në Gramsh, Prokuroria Elbasan dërgon në gjyq 4 të mitur

Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen për vrasjen e 15-vjeçarin, Fatjon Bici në Gramsh në maj të këtij viti pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale.

4 të mitur nga 14 deri në 16 vjeç janë vënë nën akuzë për vrasje në rrethana cilësuese të kryer në bashkëpunim.

Ata akuzohen gjithashtu edhe për tentativën e vrasjes së së dy të miturve të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 Maj.  

15-vjeçari Fatjon Bici sapo kishte dalë nga mësimi, kur sipas dëshmive pa në një rrugicë kushëririn që po konfliktohej me 4 bashkëmoshatarë dhe ndërhyri për ta mbrojtur.

Goditjet me thikë i shkaktuan vdekjen, ndërsa kushëriri dhe një shok i tij mbeten të plagosur.

Sipas dëshmive adoleshentët kishin nisur një debat disa javë më parë në rrjetet sociale, ndërsa ngjarja që përfundoi në krim supozohej se do të ishte një takim për tu pajtuar.Në dosjen hetimore, thuhet se adoleshentët i dërgonin njëri tjetrit në rrjetet sociale mesazhe me thika e përforcues grushti uke thënë se këto mjete do t’i përdornin ndaj njëri-tjetrit.

Ditën e krimit në vendngjarje u gjetën pikërisht thikë dhe përforcues grushti metalik. Muajt e fundit në vend janë shënuar disa ngjarje e të rënda ku protagonistë kanë qenë adoleshentë

Ndërsa përgjatë viteve të fundit ka pasur një rritje të numrit të krimeve të kryera nga adoleshentë.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vitin 2021 kanë marrë dënim alternative 84 adoleshentë, në vitin 2020, 115 adoleshentë dhe në vitin 2019 janë dënuar më masa alternative 163 adoleshentë.