Mungesa e ilaçeve tek Onkologjiku, protestë te “Shëndetësia”, Stafa: Ministria të reagojë!

Mungesa e ilaçeve tek Onkologjiku ka çuar në mbajtjen e një proteste para Ministrisë së Shëndetësisë nga qytetarët dhe aktivistët.

Nismëtari i protestës, gazetari i News24, Osman Stafa, i cili i bëri thirrje MSH-së që të reagojë dhe të sigurojë medikamentet jetë shpëtuese për pacientët në nevojë.

“Ajo që na ka sjellë këtu është mungesa e medikamenteve. Aktualisht sot s’ka asnjë problematikë për MSH-në për të siguruar medikamentet. Nuk interesohet kush. Nuk reagon asnjë po nuk u ngrit zëri i qytetarëve. Nuk interesohet kush se çfarë po ndodh në sistemin shëndetësor në Shqipëri. Ministret si të vjetra dhe të rejat të mos merren me propagandat e ‘Facebook’! Ka mungesë medikamentet, si dhe janë prishur pajisjet. Nuk është kjo mjekësia që ne duam.

E dini çfarë ndodh në këtë vend? 50 mln lekë ka bërë tender ministria për mirëmbajtjen e makinave luksoze, e gjeni te prokuroria publike. Nuk mundet që spitalet shqiptare, fëmijët dhe të rritur të ngelen vetëm. MSH duhet të reagojë dhe të sigurojë medikamentet jetë shpëtuese për pacientët. Kam qenë vetë prezent se si i sigurojnë familjarët e pacientëve këto medikamente”, tha gazetari Stafa.