Me pistoletë në lokal, pranga 37-vjeçarit në Tiranë
Policia e Tiranës ka arrestuar një 37-vjeçar, i cili u kap me armë zjarri në një lokal. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra Aurel Lazaj.
U kap në flagrancë me armë zjarri pistoletë me municion luftarak, në lokal, vihet në pranga 37-vjeçari. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe municioni luftarak. Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në një lokal në rrugën “Him Kolli”, ndodhej një shtetas i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Befasia”, për kapjen e tij.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në lokalin ku po qëndronte shtetasi Aurel Lazaj, të cilit gjatë kontrollit fizik i gjetën një armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi Aurel Lazaj, 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve luftarake dhe i municionit”.
Arma e zjarrit dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
