“Shqipëria nuk pyet UNESCO-n”/ Deputetja e PD, Ina Zhupa, tryezë me ekspertë për “Mbrojtjen e Butrintit”
Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa organizoi tryezën e përbashkët për çështjen e Butrintit. Përballë ekspertëve për çështjet historike e kulturore, Zhupa theksoi se qeveria po dëmton një trashëgimi historike të vendit.
Një pasuri kombëtare si Butrinti nuk duhet të menaxhohet nga privati.
Kjo ishte thirrja e deputetes opozitare Ina Zhupa, gjatë një tryeze diskutimi me ekspertë të çështjeve historike dhe kulturore.
Sipas Zhupës, mosreagimi i UNESCO-s ndaj kësaj çështje vjen si pasojë e gënjeshtrave që ka bërë qeveria.
“Shqipëria nuk pyet UNESCO-n, gënjejnë, këshilli s’ka dërguar letër”, u shpreh Zhupa.
Sipas arkitektes Elida Miraj, shteti duhet të menaxhojë 100% Butrintin,
“Është turp që Butrintin e menaxhon ADF-ja”, theksoi ndër të tjera Miraj.
Ndërsa sipas arkeologut Apollon Baçe, veprimet e Ministrisë së Kulturës dhe qeverisë nuk kanë justifikim.
“Ministria e Kulturës thotë që Butrinti nuk sjell të ardhura”, theksoi Baçe.
Çështja për Parkun e Butrintit vijon në Gjykatën Kushtetuese që prej nëntorit të vitit 2023. Ndërkohë sipas opozitës, dëmi i trashëgimive kulturore nuk mund të zhbëhet.


