Marrëveshja me Italinë, Basha: Të bëhet transparencë urgjentisht. Rama përzë shqiptarët e sjell emigrantët e paligjshëm

Gjatë një vizite tek "Filipi Company" në Sanxhak, kryetari i Partisë Demokratike,  Lulzim Basha, u pyet për marrëveshjen që kryeministri Rama firmosi me kryeminsitren e Italisë për një qendër pritje të emigrantëve në Shëngjin.

Basha kërkoi që Edi Rama duhet të bëjë urgjentisht transparencë  për marrëveshjen e firmosur për emigrantët.

"Nga njëra anë përzë shqiptarët nga ana tjetër kërkon të marrë emigrant të paligjshëm. Italia është një vend mik, por interesat kombëtare janë parësore, vetëm transparenca tregon nëse cenohen apo jo interesat e shqiptarëve", - u shpreh Basha.

Menjëherë pas publikimit të lajmit,  Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin për këtë marrëveshje.

Basha: Problemi është që shqiptarët po i përzë dhe po sjell emigrant të paligjshëm nga Afrika, kjo është e papranueshme. Detyra e parë është të vij të bëjë transparencën se kush i ka dhënë mandat të negociojë, me cilindo vend. Italia është një vend mik, aleat, partner, padiskutim, por këto janë interesa kombëtare, s’mundesh nga njëra anë të përzësh shqiptarët, nga ana tjetër të hapësh kufirin për emigrant të paligjshëm. Mbi çfarë baze? Me çfarë kushtesh? Parimi i parë i qeverisjes është transparenca. Përmes transparencës mund të garantojmë që marrëveshje të tilla nuk bien ndesh me interesin e shqiptarëve, nuk shkelin, nuk shkelmojnë mbi interesin publik për interesat personale të një politikani në hall, kushdo qoftë ky edhe kryeministri. Këto janë kufijtë, kjo është korniza e një qeverisjeje të përgjegjshme. Dhe vendi ka nevojë urgjente për një qeverisje të përgjegjshme. Sapo të kthehet, do të përballet me interpelancë në Kuvend. Kemi çuar kërkesën, të vij të japë llogari ç’është kjo marrëveshje. As nuk u diskutua, as nuk u shtrua për një debat publik. Si mundet që një vendi ku po I largohet rinia, që po i largohet ai korpus njerëzish që janë profesionistët e këtij vendi, po largohen për shkak të keqqeverisjes, përzë shqiptarët dhe hap kufirin për emigrantët e paligjshëm! Është e papranueshme.