Berisha: Rama firmosi marrëveshjen me Melonin për të shpëtuar menderen e tij
Nga Kryesia e Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha u pyet në lidhje me marrëveshjen e firmosur midis Shqipërisë dhe Italisë, për kampin e refugjatëve në Shengjin. Berisha tha se firma e Ramës është e pavlefshme pasi ai është kryeministër në hetim ndërkombëtar.
“Duke shprehur respektin tim për kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, më duhet t’i them se firma e Edi Ramës në atë marrëveshje është e pavlefshme.
Është e pavlefshme sepse Edi Rama është kryeministër nën hetim ndërkombëtar dhe është i gatshëm të firmosë çdo gjë për të lehtësuar dhe shpëtuar menderen e tij nga ai hetim ndërkombëtar i pashpresë.
Edi Rama është bashkëfajtor me McGonigal, aq sa ka pranuar McGonigal përpara gjykatësit të Uashingtonit, por edhe disa të tjera që ne do ia dërgojmë gjykatës dhe Kongresit të SHBA në hetim. Në këtë kontekst, asnjë lloj firme e tij nuk ka më vlerë.
Së dyti, Shqipëria ka me Italinë një marrëveshje të firmosur nga qeveria e PD, asokohe ministër i Brendshëm ka qenë, i ndjeri president i Italisë, Giorgio Napolitano. Në këtë marrëveshje, me vendin mik ramë dakord, që çdo emigrant që kalon nga Shqipëria në Itali, i vendeve të tjera, të kthehet në Shqipëri për t’i nsur në vendin e tij.
Pra, marrëveshja është e tillë. Atë zotim, Edi Rama e ka marrënë emër të trafikantëve të skllevërve njerëzore. Shqipëria ka potencialet trafikante ndër më të lartat në Europë dhe Edi Rama e don të ushqejë Gjokët dhe bandat e tjera të tij me trafiqe të shumëllojta. Pra, përsëri është firmë kallp.
Ne, njohim marrëveshjen që kemi firmosur me Italinë për të rikthyer në Shqipëri ata emigrantë të huaj që mund të kalojnë nga Shqipëria në Itali.
Përndryshe u them miqve të mi italianë mos harroni se sipas statistikave të Eurostat, nga viti 2014 deri në vitin 2021, janë larguar më shumë se 100 mijë shqiptarë çdo vit për në Itali, Greqi dhe në hapësirën e Shengenit.
Ndaj dhe ai nuk ka asnjë autoritet moral dhe as ligjor, se është në ndjekje ndërkombëtare, të firmosë në emër të Shqipërisë”, theksoi Berisha.
Ndërkohë më herët Berisha foli edhe ngjarjet e regjistruara dje në Kryesinë e Kuvendit, ku Garda pengoi deputetët e përjashtuar të PD të futeshin brenda.
Sipas Berishës, akti i djeshëm, ishte më i turpshmi në historinë e parlamentit.
“Asgjë nuk do mund të ndalë protestën e deputetëve të opozitës në mbrojtje gjer në sakrificat më të mëdha në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë që i kanë votuar.
Akti më i turpshëm në historinë e një parlamenti, kur Edi Rama urdhëroi Lindën e parlamentit të mbyllë me gardistë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe Kushtetutën, të mbyllë me dry, dyert e parlamentit në të cilin ata janë anëtarë dhe nga i cili ata kanë imunitetin e tyre.
Këto akte tregojnë degradimin ekstrem të një regjimi, që ka për ligj, ligjet e drogës, kodet e drogës, krimit, vjedhjes dhe korrupsionit.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo betejë është betejë me të keqen më të madhe të historisë sonë kombëtare pas Enver Hoxhës.
Edi Rama bllokon komisionet hetimore parlamentare, sepse e di se ata do nxjerrin para shqiptarëve të gjithë vjedhjet, të gjithë plaçkitjet, të gjithë përvetësimet që ai ka bërë me sojin e tij, pasurive publike, fondeve publike.
Do nxjerrin se si për interesat e tij dhe të klaneve të tij kriminale, porti mijëravjeçar i Durrësit poërfundon në hiç, vetëm që ky me klanet e tij në Dubai dhe kudo që i ka, të ndërtojë mbi 12 mijë apartamente, të përvetësojë 1.2 milionë metër katror truall publik.
Edi Rama nuk mund të përfundojë komision hetimor parlamentar sepse del firmëtar kryesor në aferën, vjedhjen e shekullit, qëjanë djegësat, dhe veçanërisht djegësi i Tiranës.
Ai nuk mund të pranojë hetimin e tij sepse del i implikuar, aksioner me Pëllumb Gjokat, Gjergj Lucat dhe shumë të tjerë që janë prejardhje krimi dhe droge.
Nuk mund të pranojë komisionin hetimor parlamentar, sepse del se duke shkelur ligje, kushtetutë dhe konventë evropiane, kërkon të emërojë në Himarë, përfaqësuesin e mafies së rrezikshme të trojeve himarjote, dhe kjo vetëm për interesa të tij, të vëllait të tij, të ministrave të tij.
Unë pyes çdo qytetar, sa vlen hetimi i një bashkiaku diku, apo i një zyrtari tjetër, në krahasim me kryepeshkaqenin e krimit dhe vjedhjeve në Shqipëri, Edi Rama. Jo, nuk ka vlerë.
Ndaj dhe ne me guxim të palëkundur, nuk lëshojmë gjersa Edi Rama t’i nënshtrohet hetimit parlamentar. Jo vetëm ai, por të gjithë ish-kryeministrat, të gjithë ish-zyrtarët e lartë dhe ata që janë sot.
Por natyrisht, e keqja e të keqes është Edi Rama”, theksoi Sali Berisha.





