Mete: Rritja e pagave, kryefjalë e buxhetit 2024! 4.9 mld lekë për mbështetjen sociale, ekonomike dhe shëndetësore. 3.6 mld lekë bonusi i fundvitit

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete prezantoi sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave projektbuxhetin për vitin 2024.

Ai deklaroi se, politika e rritjes së pagave është kryefjala e projektbuxhetit 2024. Efekti i vitit të ardhshëm, vetëm për gjysmën e vitit, nga 1 korriku 2024, kur do të fillojë rritja e pagave përllogaritet në 11 miliardë lekë, apo më shumë se 100 milionë euro.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2024 në Komisionin e Ekonomisë, Mete u shpreh se, “rritja e fondit për pagat e marrë në një afat kohor 12-mujor ka një efekt prej 22 miliardë lekë. Nëse shtojmë edhe efektin e rritjes së pagave që u bë gjatë vitit 2023, totali i reformës së pagave në buxhetin e shtetit, i cili është një alokim permanent, shkon në 39 miliardë lekë, ose 400 milionë USD”.

Mete theksoi se rritja e programuar e pagave me këtë ndërhyrje përfundon gjatë gjatë vitit 2024 dhe më herët seç ishte programuar dhe synohet që efekti e një page mesatare rreth 900 euro të arrihet brenda vitit 2024.

Lidhur me pyetjen se, nëse kjo politikë e rritjes së pagave goditet nga politika monetare e BSH-së dhe konkretisht nga rritja e fundit e normës bazë të interesit për lekun, Mete tha se, “politika e BSH-së synon të ulë inflacionin në objektivin e saj 3%, nga momentalisht 4.1% që ishte në shtator brenda vitit 2024 dhe në këtë kuptim, përderisa synohet ulja e inflacionit pra e çmimeve, ne nuk besojmë se e impakton politikën e pagave”.

PENSIONET

Ministra e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, po analizojnë skemën aktuale të pensioneve, për ta rishikuar atë.

Kështu u shpreh sot, ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2024, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, teksa vuri në dukje se, “reforma në sistemin e pensioneve është një çështje e mprehtë si në raport me kontribuesit por edhe me lëvizjet demografike, që do të çojë në qasje që amortizon diferencat”.

Në përgjigje të pyetjes së parashtruar nga deputeti socialist Erion Braçe, ministri Mete tha se, “për pensionet ka ardhur momenti për një ndërhyrje reformuese. Po diskutohet edhe që indeksimi të ndryshojë”.

“Në këto dy vite 2023 dhe 2024 është alokuar një fond për indeksimin e pensionistëve në vlerën 25 miliardë lekë. Indeksimi bëhet në muajin tetor të çdo viti dhe për vitin 2024 është adresuar një fond prej 4 miliardë lekësh për pensionistët”, u shpreh Mete.

Ministri deklaroi se, 3.6 miliardë lekë është fondi për bonusin e fundvitit, që do të jepet  dhe këtë vit.

MBESHTETJA SOCIALE

Po ashtu, Mete tha se, projektbuxheti për vitin 2024, parashikon rritje me 33% për sektorin social dhe arsimor, rritje prej 4.9 miliardë lekë investime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë me fokus mbështetjen sociale, ekonomike dhe shëndetësore.

Me fokus këtë shtyllë të rëndësishme, vijoi Mete, qeveria nëpërmjet Aktit Normativ për rishikimin e buxhetit 2023, rialokoi një sërë shpenzimesh ku një pjesë e konsiderueshme shkon tek Rindërtimi, që krahas investimeve për këtë fushë, ka efekte sociale që përfshijnë investime në vepra arsimore, shëndetësore dhe investime në infrastrukturë.

Projektbuxheti 2024 rezulton me një rritje prej 33% të mbështetjes financiare për sektorin social, arsimor dhe shëndetësor, krahasuar me vitin 2023.

Mete theksoi se, “projektbuxheti 2024 projekton rritje të financimit në të gjithë sektorët kryesorë, siç janë arsimi, mbrojtja, drejtësia ku buxheti është dyfishuar, ndërsa për mbrojtjen, për herë të parë buxheti është rritur në 2% të PBB-së, duke përmbushur kështu një detyrim si vend anëtar i NATO-s. Sa i përket arsimit buxheti 2024 ka një rritje të ndjeshme të pagave dhe rritje ndaj totalit të shpenzimeve për arsimin vendor që arrin në 78.8 miliardë lekë me rritje 9.8 milionë lekë ose afro 100 milionë lekë”.

Sa i përket buxhetit vendor, Mete informoi se, shpenzimet për këtë nivel qeverisjeje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me buxhetin e vitit 2023.